
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, ish-anëtar i AAK-së dhe pastaj pjesëmarrës në tubimet e PDK-së, Kadri Kryeziu ka dhënë opinionin e tij për çështjen e mënyrës së votimit të kryeparlamentarit në seancën konstituive.
Në një shkrim autorial të publikuar në portalin Albanian Post të enjten, Kryeziu argumenton se Gjykata Kushtetuese nuk muund ta detyrojë Kuvendin të votojë në mënyrë të hapur apo të fshehtë.
“Kjo çështje është tërësisht në diskrecionin e Kryesuesit të seancës konstituive”, ka argumentuar Kryeziu.
Argumentet, ai i ka mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, bazuar në një kërkesë të parashtruar nga deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës. Vet ai ushtronte funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese asokohe.
Por, Kryeziu ishte përjashtuar nga vendimmarrja në këtë rast dhe në rastet e tjera të mëdha që ndërlidheshin me çështjet e institucioneve qendrore.
Vendimi për përjashtimin e tij ishte marrë nga një komision i Gjykatës Kushtetuese, i emëruar nga gjykata.
Arsyeja e përjashtimit të tij nga vendimmarrja ishte prezenca e tij në një tubim në parafushatën e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Në përputhje me propozimin e vetë gjyqtarit Kryeziu dhe me raportin e Komisionit të gjyqtarëve, Gjykata vendosi që publikisht të qortojë gjyqtarin Kryeziu për këtë shkelje dhe ta përjashtojë atë nga pjesëmarrja si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në çdo rast tjetër që mund të ketë kontekst politik, e ku, ndër të tjera, si palë para Gjykatës mund të paraqiten: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Avokati i Popullit dhe komunat”, thuhej në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese, të nxjerrë më 19 gusht të vitit 2014.
Kjo s’e ka ndaluar Kryeziun të japë opinionin e tij për çështjen e votimit të fshehtë apo të hapur në seancën konstituive të hapur më 15 prill, e cila e ka futur vendin në ngërç institucional.
Në shkrimin e tij, Kryeziu argumenton se kryesuesi Avni Dehari e ka diskrecionin e plotë për realizimin e seancës konstituive, përfshirë përcaktimin për votim të hapur apo të fshehur për të propozuarin për pozitën e kryetarit të Kuvendit.
“Ky është një rast i mirë për të përkujtuar pikën 110 të aktgjykimit të vitit 2014 ku thuhet se Gjykata vlerëson se kryesuesja e atëhershme e seancës konstituive, deputetja Flora Brovina, edhe pse nuk ishte e zgjedhur, ajo ishte e obliguar me Kushtetutë dhe me Rregullore të punës të Kuvendit, për të realizuar seancën konstituive. Ky parim vlen edhe për deputetin Avni Dehari, aktualisht Kryesues i seancës konstituive”, ka shkruar Kryeziu.
“Pra, për nevojat e mbarëvajtjes së seancës konstituive, kryesuesi aktual i seancës konstituive është de fakto Kryetar i Kuvendit. Dhe, si i tillë, në frymën e pikës 128 të aktgjykimit të vitit 2014, për të siguruar shprehjen demokratike dhe të pavarur të vullnetit të deputetëve dhe për të siguruar të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve te tyre, Kryesuesi e bën interpretimin përfundimtar të procedurave që mund të aplikohen”, vazhdon tutje ai.
Kadri Kryeziu nuk i është shkëputur pothuajse asnjëherë politikës nga paslufta deri në përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Kryeziu ka mbajtur pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit në vitin 2000, në qeverinë e përkohshme të Hashim Thaçit.
Nga viti 2000 deri në vitin 2009, ai ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ka ushtruar funksionin e anëtarit të Kryesisë së AAK-së. Ka mbajtur edhe pozita qeveritare gjatë Qeverisë Haradinaj 1 më 2004.
Pasi ishte emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese më 2010, ai nuk i ishte ndarë sërish politikës. Nuk kishte takim politik që lideri i PDK-së, Hashim Thaçi organizonte në Prizren në të cilin nuk merrte pjesë edhe Kryeziu.
Pas përfundimit të mandatit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka vazhduar të mbajë një profil publik. Është paraqitur shpesh në media si ekspert i çështjeve kushtetuese dhe analist i ngjarjeve politike.