
Në Shqipëri janë publikuar rezultatet e provimit të gjuhës së huaj të maturës shtetërore, ku ndër maturantët që e dhanë provimin ishte edhe një 74-vjeçar, Skënder Cena.
Bëhet e ditur se ai ka marrë notën 7 dhe ka arritur të sigurojë diplomën e maturës, pasi ka kaluar me sukses provimin e gjuhës së huaj, në përpjekjen e tij të dytë.
74-vjeçari Cena ishte shprehur ditën e provimit se priste një notë kaluese, por duket se ia ka tejkaluar edhe vetes pritshmëritë.
Një aksident në rininë e tij ia mori pjesërisht shikimin dhe u bë pengesë për të vijuar shkollimin, megjithatë në moshën 64-vjeçare, ai iu rikthye mësimit, duke ndjekur një shkollë profesionale në Kamëz./Euronews.al