
Izraeli ka nisur një sulm të madh ajror ndaj Iranit, duke e zhvendosur përplasjen e gjatë në hije në një konflikt të hapur me pasoja të rënda për sigurinë rajonale, shkruan AP, përcjell Insajderi.
Sulmet e orëve të para të mëngjesit të së premtes kanë tronditur kryeqytetin Teheran, ku shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në disa lagje, ndërsa objektiva bërthamore dhe ushtarake iraniane janë goditur.
Sipas mediave shtetërore iraniane, si pasojë e sulmeve janë vrarë komandanti i Gardës Revolucionare, Gjeneral Hossein Salami, dhe dy shkencëtarë kryesorë të programit bërthamor të Iranit.
Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror tregojnë ndërtesa të dëmtuara rëndë, mure të shembura, dritare të thyer dhe çati në flakë në disa zona të Teheranit.
Ndër të tjera, raportohet se edhe selia e Gardës Revolucionare është përfshirë nga zjarri pas shpërthimeve.
Në një video zyrtare që shoqëroi njoftimin për operacionin ushtarak, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmet kishin në shënjestër objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë më të avancuar të Iranit, si dhe arsenalin e raketave balistike.
“Qëllimi ynë është të ndalojmë Iranin nga përftimi i një bombe bërthamore,” deklaroi Netanyahu, duke e quajtur këtë veprim si një akt parandalues ndaj një kërcënimi ekzistencial.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm për shkak të përparimit të shpejtë të programit bërthamor të Iranit. Edhe pse Teherani këmbëngul se programi i tij ka qëllime paqësore, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se Irani nuk po ndërton aktualisht një armë bërthamore.
Megjithatë, Izraeli e sheh përshpejtimin e pasurimit të uraniumit si një rrezik të drejtpërdrejtë.
Në pritje të një hakmarrjeje nga Irani, Izraeli ka mbyllur hapësirën ajrore dhe ka filluar mobilizimin e dhjetëra mijëra ushtarëve për të mbrojtur kufijtë e vendit.