Negociatat e vitit 2020 – Konjufca akuzon LDK-në për oreks të madh për poste - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Negociatat e vitit 2020 – Konjufca akuzon LDK-në për oreks të madh për poste

    Insajderi
    13 June 2025 - 11:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka zbuluar detaje të brendshme nga bisedimet për koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 2020.

    Ai ka akuzuar LDK-në për “oreks të madh” për pozita të rëndësishme në institucionet e vendit, duke përmendur kryeparlamentarin, presidentin dhe disa agjenci të rëndësishme.

    Konjufca tha se negociatat ishin të zgjatura për shkak të kërkesave të LDK-së për të përfshirë në tryezë poste që, sipas tij, nuk duhej të ishin pjesë e bisedimeve për qeverinë, siç ishte pozita e presidentit.

    “Kur ishim në negociata me LDK-në, njëra prej pozitave kryesore që ata e vunë në tavolinë ishte ajo e presidentit. Ne në LVV hoqëm dorë nga shumë pozita dhe pritëm me javë të tëra që negociatat të shkonin përpara për ta hequr presidentin nga tavolina. Nuk mund të zgjidhnim presidentin përmes këtyre negociatave për qeverinë,” tha ai.

    Ai shtoi se LDK-ja donte edhe kryeparlamentarin, duke tentuar të negocionin atë në mënyrë të ndryshme.

    “Ata thoshin, ‘ti merr kryeparlamentarin, unë marr kryeministrin’, dhe më pas disa agjenci. Do të thotë po del edhe përtej qeverisë me metoda të ndryshme po do me i kap krejt” .

    Konjufca tha se Vetëvendosje ka mbajtur qëndrim të prerë në këto bisedime, duke kërkuar që të fokusohet vetëm në krijimin e qeverisë pa përzier postet e presidentit dhe parlamentit në negociata.

    Sipas tij, LDK nuk pranonte as që pozita e kryeparlamentarit të largohej nga tryeza e negociatave, gjë që e detyroi atë të japë dorëheqje nga pozita që mbante.

    “…Por, pastaj LDK nuk donte as parlamentin me hek, dhe unë u detyrova me dhanë dorëheqje, Vjosa e zuri atë vend unë e mora diplomacinë (ministër i jashtëm)”, tha ai në ATV, përcjell Insajderi.

    Pyetjes nëse është i mundur që ai të rikthehet në pozitën e ministrit të Jashtëm, ai iu përgjigj: “Po, mundet të ndodhë, është shumë e mundshme.”

    Sipas Konjufcës, Vetëvendosje është e konsoliduar në qëndrimet e saj dhe kërkon zgjidhje fillimisht për çështjen e kryeparlamentarit dhe më pas për të gjitha çështjet e tjera.

    “LVV është konsistente dhe ndjek këtë princip. Kërkon që tash kryeparlamentari të mos ndryshohet me asnjë mënyrë, sepse konstituimi i Kuvendit është themeli i demokracisë. Nëse e ruajmë këtë frymë demokratike, Kosova do ta kalojë fazën ku ka qenë deri më sot dhe kjo do të jetë një hap gjigant për demokracinë,” tha ai./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark