Rasti Venhar Hana, deputetja Fitore Pacolli: Kur puna parlamentare jep rezultat - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti Venhar Hana, deputetja Fitore Pacolli: Kur puna parlamentare jep rezultat

    Insajderi
    13 June 2025 - 20:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën dy persona: avokatin Venhar Hana dhe inspektorin Dritmir Islami. Ndaj të njëjtëve, prokuroria ka paraqitur sot kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    Lidhur me arrestimin e tyre, ka reaguar deputetja, Fitore Pacolli, duke thënë se është si rezultat i punës parlamentare.

    “Në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës për tjetërsimin e paligjshëm të pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës

    Me vëmendje kemi ndjekur raportimet e disa mediumeve në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës për rastin e tjetërsimit të paligjshëm të pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës. Ndërkohë që ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë, ndjejmë nevojën të sqarojmë dhe theksojmë kontributin e rëndësishëm që ka dhënë Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në këtë proces.

    Gjatë vitit të kaluar, me vendim të Komisionit, kemi nisur hetimet parlamentare për këtë çështje. Grupi punues i kryesuar nga ish-deputeti Milazim Salijaj, me mbështetjen time të plotë si Kryetare e Komisionit dhe me angazhimin e kolegëve të tjerë deputetë, ka zhvilluar një punë të thellë dhe të kujdesshme për të nxjerrë në dritë të vërtetën”, tha ajo.

    Ajo tha se e gjitha kjo është “fryt” i punës se komisionit parlamentar.

    “Sot, kur Gjykata ka marrë vendim dhe ka konfirmuar gjetjet tona, ndjejmë përgjegjësi të ndajmë me publikun se ky rezultat është fryt i punës së palodhur dhe të përkushtuar të Komisionit tonë parlamentar.

    Në këtë kontekst, i ftojmë mediumet të jenë të kujdesshme dhe korrekte në raportimet e tyre, duke njohur dhe vlerësuar punën institucionale të bërë nga Komisioni. Transparenca dhe bashkëpunimi janë thelbësore për një demokraci funksionale, por është po aq e rëndësishme që puna institucionale të mos tjetësohet apo anashkalohet në raportime publike”, ka shkruar ajo.

    Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen hetimore që hedh dritë mbi dyshimet serioze për përfshirjen e tyre në një aferë milionëshe, e cila ka të bëjë me manipulime të mundshme rreth pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës – një rast për të cilin Insajderi raportoi ekskluzivisht.

    Dokumentet që kanë çuar në arrestimin e avokatit Venhar Hana dhe inspektorit Dritmir Islami zbulojnë një skemë të përpunuar mashtrimi dhe falsifikimi, që synonte përvetësimin e një prone me vlerë mbi 12 milionë euro në lagjen Veternik të Prishtinës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark