
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për vdekjen tragjike të Ardian Dushkollit, një 18-vjeçar shqiptar që humbi jetën në një liqe në Gjermani.
Lajmi për ndarjen e tij të parakohshme u bë i ditur nga familjarët e të ndjerit. “Miq e shokë, ka ndërruar jetë Ardiani, vëllai jonë, në ujë në një liqe të Gjermanisë”, shkroi Berat Osmani, njëri nga familjarët e të ndjerit, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Kryetari Bulliqi reagoi përmes një postimi në Facebook, duke shprehur trishtimin dhe mbështetjen për familjen Dushkolli në këtë moment të dhimbshëm:
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të Ardian Dushkollit. Kjo humbje e papritur dhe e rëndë na mërziti të gjithëve. Në këto çaste të vështira, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Dushkolli. Ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që Zoti t’ju japë forcë dhe durim për ta përballuar këtë dhimbje!”.