
Vazhdimi i sulmeve me raketa nga Irani ndaj Izraelit po tregon se forcat iraniane janë në gjendje të rimblidhen dhe të reagojnë edhe pas vrasjes së disa komandantëve të lartë ushtarakë nga ana e Izraelit, ka thënë për CNN analisti Trita Parsi, nënkryetar i Institutit Quincy për Politikë të Jashtme të Përgjegjshme, përcjell Insajderi.
“(Izraelitët) e nënvlerësuan aftësinë e Iranit për t’u rikuperuar pas goditjes së suksesshme që i dhanë udhëheqjes së lartë ushtarake iraniane, ku arritën të vrisnin disa prej tyre,” deklaroi Parsi.
Ai shtoi se Izraeli kishte besuar se kishte “shkatërruar komandën dhe kontrollin iranian”, por kjo strukturë është rindërtuar shumë shpejt.
Sipas Parsi, “tani po shohim që raketat iraniane po arrijnë të depërtojnë në të gjitha shtresat e sistemit të mbrojtjes ajrore të Izraelit”.
Këto deklarata vijnë në kohën kur valë të reja të raketave iraniane goditën disa lokacione në Izrael në orët e para të mëngjesit të së hënës, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarr në zona të banuara.
Raportohet për viktima në të dyja anët, ndërsa përshkallëzimi i sulmeve ka shtyrë shumë banorë të Teheranit të largohen nga kryeqyteti në kërkim të sigurisë.