
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosova është e gatshme të mbrojë veten në rast të ndonjë sulmi nga Serbia.
Në një intervistë të dhënë mbrëmë ajo theksoi se këtë mesazh ua ka përcjellë qartë edhe bashkëbiseduesve ndërkombëtarë: Një gjë nuk hezitoj t’ua them gjithmonë edhe kolegëve të mi ndërkombëtarë, që në Kosovë, nëse Serbia na sulmon dhe mendon që mund të pushtojë territor, të jeni të sigurt që ne e mbrojmë vendin tonë.
Gërvalla po ashtu e krahasoi qëndrueshmërinë e Kosovës me heroizmin e treguar nga Ukraina në përballje me agresionin rus.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar ashpër nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila i ka cilësuar fjalët e Gërvallës si fyese dhe denigruese për historinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Çitaku shkroi:
“Për ta rrumbullaksuar: Donika Gërvalla ua paska bërë me dije ndërkombëtarëve se Kosova nuk është më ajo që ka qenë. Se, nëse na sulmon Serbia, kësaj here paska kush lufton e kush e mbron. Madje, ka folur edhe për heroizmin e Ukrainës. Çfarë fyerje! Çfarë fyerje dhe poshtërimi për mijëra gra e burra që guxuan ta mundin frikën, që e sfiduan vdekjen, që ëndërruan lirinë dhe luftuan për të.”
Ajo shtoi se këto deklarata janë një fyerje edhe për “mijëra dëshmorë e heronj që e nderuan vendin me jetën e tyre”, si dhe për ata që, në rrethana të vështira lufte, ndërtuan aleanca me botën demokratike.
“Çfarë fyerje për ata burra e gra që, me urtësi dhe guxim, në rrethana lufte ndërtuan aleanca me botën demokratike, aleanca të cilat sot po i dëmtoni me papërgjegjësi”, theksoi Çitaku.
Ajo përfundoi duke e quajtur këtë jo vetëm mungesë mirënjohjeje, por edhe “mjerim dhe trishtim të madh”.