
Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, dikur shprehej kategorikisht kundër inkasimit të shërbimeve të ndërmarrjes regjionale të mbeturinave “Pastrimi” nga kjo e fundit. Por, pas vendimit të Gjykatës Supreme, Rama ka thënë se “Pastrimi” do t’i inkasojë vetë shërbimet.
Rama këtë e ka bërë të ditur vetë me anë të një postimi në ‘Facebook’ ku ka përmendur edhe kushtet e arritura të marrëveshjes me kompaninë “Pastrimi”. Ndërkaq për çështjen e pagesës së shërbimeve të kryera nga janari deri në maj, ka thënë të adresohet në gjykatë, shkruan Insajderi.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, jemi pajtuar që KRM “Pastrimi” të bëjë inkasimin vet për shërbimin e ofruar të mbledhjes së mbeturinave. Në kuadër të kësaj, mjetet e inkasuara nga Kryeqyteti gjatë kësaj periudhe, në afat të menjëhershëm të transferohen te Ndërmarrja “Pastrimi””, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se s’është pajtuar me menaxhmentin aktual të KRM “Pastrimit”, teksa e ka akuzuar për përkeqësim të situatës me mbeturina në Prishtinë.
“Ne sot jemi pajtuar me punëtorët, por kjo nuk do të thotë se pajtohemi me qasjen e menaxhmentit aktual, i cili fatkeqësisht ka kontribuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës me mbeturina në Kryeqytet, përfshirë edhe dezinformimin e punëtorëve për agjenda të caktuara politike, dhe në këtë formë duke e lënë qytetin pa shërbim të mbledhjes së mbeturinave – gjë që ka rrezikuar edhe shëndetin publik në Kryeqytet”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e Ramës.
Sindikata e kësaj ndërmarrje ka thënë se do të ndërmarrin veprime të tjera sindikale nëse nuk i ekzekutohen pagat tash e tutje.
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj zbatimit të Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi i Komunës më 1 dhjetor 2023, të plotësuar me 05.12.2024 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare më 31 dhjetor 2024.
Kjo rregullore përcakton se faturat për shërbimin e mbeturinave duhet të paguhen drejtpërdrejt në KRM “Pastrimi” Sh.A., ndërsa Gjykata Supreme ka vendosur që kjo rregullore mbetet në fuqi dhe duhet të zbatohet, duke e cilësuar të pabazuar kërkesën për pezullim të përkohshëm.
Në vendimin e saj, Gjykata thekson se “të ndalohet prodhimi i efekteve juridike të Rregullores” nuk ka bazë ligjore dhe se pezullimi i zbatimit të aktit nënligjor nuk mund të bëhet pa vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij. Me këtë, Gjykata rrëzon pretendimin e Komunës për ndërprerjen e efekteve juridike të rregullores derisa të vendoset meritorisht për padinë.
Gjykata vendosi gjithashtu që aktgjykimi merr formë të prerë menjëherë pas komunikimit me palët. /Insajderi.org/