
Mirlind Daku ka mbërritur në Shën Peterburg, duke u bërë lojtari më i ri i Zenitit. Sulmuesi shqiptar është fotografuar në aeroportin e qytetit rus këtë të hënë, në shoqërinë e Bernard Berishës, një tjetër futbollist nga Kosova që ka luajtur më parë për Ahmat Groznin në Premier Ligën ruse.
Daku, i cili për dy sezone ishte pjesë e Rubinit të Kazanit, është tashmë pjesë e kampionëve 11-herë të Rusisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, Zenitit të Shën Peterburgut. Klubi rus fitoi titullin për gjashtë vite radhazi deri në vitin 2024, ndërsa këtë sezon e humbi për vetëm një pikë ndaj Krasnodarit.
Kontrata e Dakut me Zenitin është katërvjeçare, me një pagë që arrin deri në 3.5 milionë euro në sezon — shifra e dytë më e lartë në Premier Ligën ruse. Transferimi i tij pritet të kapë vlerën totale deri në 10 milionë euro, me pagesën e parë që shkon në 8.5 milionë euro, sipas raportimeve nga abcnews.
Gjatë dy sezoneve me Rubinin, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shkëlqyer, duke shënuar 25 gola dhe dhënë 12 asistime në 53 ndeshje të kampionatit. Ai është vlerësuar si lojtari më i mirë i ekipit dhe një nga më të mirët në elitën ruse për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në golat e skuadrës.