Raportohet se Naim Murseli është dërguar në Psikiatri - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Raportohet se Naim Murseli është dërguar në Psikiatri

    Insajderi
    20 June 2025 - 09:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është dërguar mëngjesin e së premtes në Klinikën e Neurologjisë. E prej aty, më pas ai është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sipas pamjeve të publikuara nga Koha, ai shihet duke u futur në këtë Klinikë.

    Murseli është nën përcjelljen e vazhdueshme të Policisë.

    Më 4 qershor, trupi gjykues pati miratuar kërkesën e mbrojtjes së Murselit që atij t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik. Avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, e justifikoi kërkesën e shtruar, duke thënë se klienti i saj ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.

    Murseli ishte deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.

    Në ditën e vrasjes, sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga Tom Dodaj, për çmimin prej 280 eurosh.

    Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

    Ademaj u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ndërsa rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë grabitjes.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark