
Kompania private për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka paralajmëruar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike duke filluar nga nesër, me ndikim që pritet të zgjasë edhe në ditët në vijim.
Sipas njoftimit zyrtar, në rastin më ekstrem, kjo situatë mund të çojë në varësi të plotë nga importi për të mbuluar nevojat e konsumatorëve në Kosovë.
“Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem,” thuhet në njoftimin e kompanisë.
KESCO gjithashtu ka bërë thirrje për kursim të menjëhershëm të energjisë nga ana e qytetarëve, duke theksuar se importi i sasive të mëdha paraqet vështirësi të mëdha teknike dhe financiare për sistemin energjetik të vendit.
Pas këtij paralajmërimi, ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për gjendjen ku, sipas saj, ndodhet vendi.
“Kollaps në energji. Kollaps në ekonomi. Kollaps në politikën e jashtme. Kollaps në Kuvend,” ka shkruar Çitaku në një postim në Facebook.
Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se pushtetin po e përdor si qëllim në vetvete, dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve. “Për këtë qëllim, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka tjetër,” shtoi ajo./Insajderi