Një muaj paraburgim ndaj H.K., i dyshuar për sulm me çekan në oborrin e gjykatës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Një muaj paraburgim ndaj H.K., i dyshuar për sulm me çekan në oborrin e gjykatës

    Insajderi
    20 June 2025 - 16:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit H.K., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

    Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 18 qershor 2025 rreth orës 10:50 në oborrin e gjykatës, ku i pandehuri H.K., për shkak të një konflikti të mëhershëm, dyshohet se ka sulmuar me një çekan të dëmtuarin B.B., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në krahun e djathtë.

    Ngjarja ndodhi në kohën kur të dy ishin ftuar në gjykatë për një çështje tjetër penale. H.K., sipas gjykatës, fillimisht është fjalosur me B.B., dhe më pas ka nxjerrë një çekan nga çanta e tij, me të cilin e ka goditur viktimën.

    Në vendimin për caktimin e paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake, Qemail Suka, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale, bazuar në deklaratat e të pandehurit dhe të dëmtuarit, dëshmitarëve okularë, raportet mjekësore, pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit.

    Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku që i pandehuri të arratiset ose të ndikojë në dëshmitarët dhe provat, sidomos për faktin se pas ngjarjes ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Po ashtu, mënyra e kryerjes së sulmit dhe përdorimi i mjetit të rrezikshëm tregojnë për një rrezik real që ai të mund të përsërisë veprën penale apo të kryejë ndonjë vepër më të rëndë.

    Për këto arsye, Gjykata ka vendosur që paraburgimi është një masë e domosdoshme për sigurimin e rrjedhës së rregullt të procedurës penale.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark