
Në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë, ku postin drejtues e mban një nga figurat kyçe të partisë edhe në nivel qendror, Xhavit Haliti, kanë shpërthyer akuza për procese jolegjitime dhe anashkalim të vullnetit të anëtarësisë.
Aktivisti i njohur i kësaj dege, Titi Berisha, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së përzgjedhjes së delegatëve për Konventën e Përgjithshme të PDK-së, duke e cilësuar këtë veprim si “paradoksal dhe antistatutore”. Sipas tij, delegatët janë caktuar pa ndonjë procedurë të qartë, pa transparencë dhe pa respektim të rregullave të brendshme të partisë.
“Turp. Ose duhet të jenë delegatët e zgjedhur nga zgjedhjet e kaluara brenda-partiake, ose të mbahen zgjedhje të reja për t’i ndryshuar kandidatët”, ka shkruar ai në një status në Facebook.
Ai thekson se që nga themelimi i PDK-së, ka qenë pjesë aktive e çdo Konvente dhe aktiviteti politik në Pejë, ndërsa sot ndihet i përjashtuar nga ata që, siç thotë ai, “e kanë shkatërruar degën”.
Berisha kërkon edhe reagimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për, siç i quan ai, shkeljet ligjore dhe statutore që po ndodhin në degën e Pejës, ndërsa paralajmëron rikthim në skenën politike lokale: Na mbetemi PDK. E profiterëve do t’ua tregojmë derën. Shihemi në zgjedhjet komunale.
Ky është reagimi i tij:
PARADOKSALE, e ANTI-STATUTORE Qfare marifeti i PDK-së në Pejë, i cakton delegatet për Konventen e Përgjithshme, me teke e qefe, pa respektuar asnje procedure. TURP. Ose duhet te jene delegatet e zgjedhur nga zgjedhjet e kaluara brenda partiake ose duhet te mbahen zgjedhje te reja, per ti ndryshuar kandidatet. Prej se eshte themeluar PDK, ishim delegate te Konventave dhe aktivë ne secilin aktivitet partiak. Sot, ne Peje, keta qe e shkatrruan Degën, na paskan anashkaluar teresisht. Edhe KQZ, duhet te reagoj ndaj shkeljeve ligjore e statutore te bera ne PDK-ne e Pejes. Ama, na mbetemi PDK, e profiterave do ua tregojme deren. Shihemi ne zgjedhjet komunale.