
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e ka dënuar gjuhën denigruese dhe fushatën linçuese të mbështetësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mentor Llugaliut, kundër juristes së mediave, Flutura Kusarit.
Me anë të një njoftimi për shtyp, ambasada gjermane ka thënë se s’mund të ketë liri aty ku zërat medialë ngacmohen dhe frikësohen.
“Nuk ka liri shtypi aty ku zërat medialë ngacmohen e frikësohen. Shprehim solidaritet të plotë me Flutura Kusarin, puna e palodhshme e së cilës në mbrojtje të lirisë së medias nuk duhet të përballet kurrë me abuzim mizogjen dhe frikësim. Ajo që ka përjetuar nuk është vetëm një sulm personal — është një kërcënim ndaj vlerave demokratike, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për të thënë të vërtetën përballë pushtetit”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, ambasada gjermane ka inkurajuar gazetarët dhe aktivistët mediatik në punën e tyre, duke thënë se s’duhet të kenë frikë për punën që e bëjnë.
“Asnjë gazetar apo aktivist mediatik nuk duhet të ketë frikë për sigurinë e tij/saj për shkak të punës që bën. Liria e shprehjes duhet të mbrohet — ashtu si edhe ata që e mbrojnë atë. Është koha që të gjithë — institucionet, shoqëria civile dhe individët — të ngremë zërin dhe të marrim një qëndrim të qartë: Zero tolerancë për ngacmimet online. Zero tolerancë për heshtjen me dhunë”, përfundon njoftimi. /Insajderi.org/