
Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Ministrit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer iu deshën një javë e plotë për të bindur presidentin amerikan Donald Trump të godiste objektet bërthamore të Iranit.
“Katër ditë më parë, pati një telefonatë midis Netanyahut dhe presidentit amerikan, gjatë së cilës Trump tha: ‘Kam vendosur të nis një sulm’”, tha një zyrtar izraelit për The Jerusalem Post.
Që kur Izraeli filloi të sulmonte objektet bërthamore dhe objektiva të tjera brenda Iranit rreth një javë e gjysmë më parë, Netanyahu dhe presidenti amerikan kanë folur pothuajse çdo ditë.
Sipas burimeve izraelite dhe amerikane që folën për The Post, Trump dhe zyrtarët e lartë amerikanë u impresionuan nga suksesi i Izraelit.
“Pa arritjet e Izraelit dhe rezultatet e operacionit të tij, presidenti aqmerikan nuk do ta kishte konsideruar kurrë bashkimin me sulmin”, thanë burimet.
Fillimisht, Trump planifikoi vetëm të bombardonte objektin e pasurimit në Fordow.
Megjithatë, një zyrtar izraelit i tha The Jerusalem Post se Netanyahu dhe Dermer arritën ta bindnin atë që të shënjestronte edhe objektin e Isfahanit dhe vendin e pasurimit në Natanz – të dyja të cilat Izraeli i kishte sulmuar tashmë javën e kaluar – “Për të përfunduar punën”.
“Amerikanët goditën vende brenda këtyre vendeve që Izraeli kishte vështirësi t’i arrinte”, tha burimi izraelit.
“SHBA-të goditën një zonë në Isfahan të fshehur në shpatin e malit, ku iranianët kishin ruajtur uranium të pasuruar dhe infrastrukturë tjetër të lidhur me armët bërthamore”, shtoi burimi.