Gara për Drenasin nxehet brenda PDK-së – Lladrovci: Nuk shqetësohem, jam kampion i qeverisjes - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gara për Drenasin nxehet brenda PDK-së – Lladrovci: Nuk shqetësohem, jam kampion i qeverisjes

    Insajderi
    24 June 2025 - 14:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovcit, i është ngushtuar gara për të marrë edhe një herë besimin e Partisë Demokratike të Kosovës, për të hyrë në garën komunale për kryetar të kësaj komune, shkruan Insajderi.

    Të hënën, PDK ka hapur procesin e përzgjedhjes së kandidatit që do të garojë në zgjedhjet lokale për Drenasin. Deri më tani, disa persona janë vetëkandiduar duke kërkuar mbështetjen e partisë dhe të qytetarëve.

    Përveç Ramiz Lladrovcit, të hënën kanë shpallur kandidaturën edhe Petrit Hajdari. Ndërsa një ditë më vonë, edhe Ajvaz Berisha ka bërë të ditur se do t’i hyjë garës për kryetar të kësaj komune.

    Vetëdeklarimet e disa kandidatëve brenda partisë nuk po e shqetësojnë kryetarin aktual, Ramiz Lladrovci.
    Në një prononcim për Gazetën Insajderi, ai tha se nuk brengoset për kandidatët, pasi sipas tij, ka qenë “kampion i qeverisjes së mirë në nivel nacional”.

    Nuk brengosem nga kandidatët që garojnë nga subjekti politik të cilit i përkas, as nga subjektet e tjera politike, të reja apo tradicionale. Kam punuar shumë; jam vlerësuar gjashtë herë si kampion i qeverisjes së mirë në nivel nacional. Kam zbatuar ligjin dhe barazinë para ligjit, me transparencë dhe llogaridhënie. Me qetësi e pres garën, duke qenë i bindur në besimin e qytetarëve,” deklaroi ai për Insajderin.

    Kandidimin e disa zyrtarëve të PDK-së, Lladrovci e sheh si dëshmi se partia e tij është demokratike, por thekson se Dega dhe Drenasi kanë kryetar.

    “Dje, në rrjetet sociale u panë vetëdeklarimet e dy a tre vetave, duke dëshmuar se PDK është një parti demokratike, ku nuk kërkohet leje për të kandiduar për postin e kryetarit, edhe pse dega dhe komuna kanë tashmë një kryetar nga e njëjta parti. Kjo flet shumë, madje tregon se arsyet pse dalin për të kandiduar dëshmojnë se jeta politike në Drenas po zhvillohet më mirë se askund tjetër në Kosovë,” vijon tutje deklarata e tij.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark