Komercialja miraton edhe një ankesë kundër shtrenjtimit të rrymës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Komercialja miraton edhe një ankesë kundër shtrenjtimit të rrymës

    Insajderi
    25 June 2025 - 10:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Komerciale e Kosovës ka miratuar një tjetër ankesë të parashtruar kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike, shkruan Insajderi.

    Sipas aktgjykimit të lëshuar më 19 qershor 2025, gjykata e ka aprovuar kërkesëpadinë e ngritur nga paditësi, përfaqësuar nga avokati Agron Selimaj, duke anuluar përgjigjen e ZRRE-së të datës 30 maj 2025 si të kundërligjshme.

    Tutje, gjykata e ka obliguar ZRRE-në që brenda një afati prej 30 ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, të marrë vendim lidhur me ankesën e paditësit kundër njoftimit të KESCO-s të datës 25 prill 2025, që ka të bëjë me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

    Po ashtu, ekzekutimi i njoftimit të KESCO-s është shtyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e ZRRE-së.

    Më 18 qershor 2025, Gjykata Komerciale kishte miratuar kërkesën e një biznesi për caktimin e masës së sigurisë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili parashihte kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

    Oda Ekonomike e Kosovës kishte njoftuar se, me këtë vendim, u pezullua përkohësisht ekzekutimi i njoftimit të ZRRE-së të datës 3 qershor 2025, duke i lejuar paditësit të vazhdojë të furnizohet nga shërbimi universal deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

    Theksojmë se komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin për liberalizimin e tregut, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar. Ata kanë kërkuar që zbatimi i vendimit të shtyhet për së paku një vit.

    Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 21 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa një tjetër është në proces të licencimit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark