Kriza 46 milionëshe po shkatërron komunat, Qeveria në gjumë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kriza 46 milionëshe po shkatërron komunat, Qeveria në gjumë

    Insajderi
    25 June 2025 - 17:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ngritur alarmin për një krizë të rëndë financiare që po godet pushtetin lokal, si pasojë e vendimeve gjyqësore që burojnë nga kontrata kolektive, një akt i imponuar nga niveli qendror, por që po fundos komunat njëra pas tjetrës.

    Sipas të dhënave zyrtare, komunave të vendit u janë marrë mbi 46 milionë euro deri më sot, shumica dërrmuese për zbatimin e një kontrate kolektive që as nuk është negociuar nga komunat dhe as nuk është financuar nga to. Kjo situatë ka shkaktuar bllokim të xhirollogarive komunale, vonesa në pagesa bazike dhe paralizim të projekteve kapitale në të gjithë vendin, shkruan Insajderi.

    Komunat më të dëmtuara nga kjo situatë janë:
    • Prishtina – mbi 6.2 milionë euro
    • Ferizaj – rreth 6 milionë euro
    • Prizreni – mbi 4.8 milionë euro
    • Deçani – 3.2 milionë euro
    • Mitrovica – 2.4 milionë euro
    • Peja, Rahoveci, Vitia – mbi 2 milionë euro secila
    • Vushtrria – mbi 1.7 milionë euro
    • Skenderaj dhe Suhareka – mbi 1 milion euro
    • Etj etj
    Komuna e Ferizajit pothuajse e ka të bllokuara xhirollogarinë, duke mos qenë në gjendje të bëjnë as pagesat bazike.

    Përmes një deklarate, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha:

    “Deri më sot, komunave iu janë marrë mbi 46 milionë euro si pasojë e vendimeve gjyqësore, shumica për zbatimin e një kontrate kolektive që as nuk është negociuar, as nuk është financuar nga vetë komunat. Kjo është një padrejtësi e rëndë institucionale dhe financiare që po paralizon zhvillimin lokal. Qeveria po hesht, edhe pse e di që kjo situatë është pasojë e nivelit qendror dhe e shkaktuar nga vetë ajo. Ka refuzuar me vite të ballafaqohet me problemin e kontratës kolektive, duke ia faturuar padrejtësisht komunave një barrë të papërballueshme.”

    Asociacioni kërkon urgjentisht:

    • Krijimin e një fondi emergjent nga niveli qendror për të mbuluar borxhet që nuk janë krijuar nga komunat;
    • Një ndryshim rrënjësor të qasjes qeveritare ndaj pushtetit lokal dhe një rishikim serioz të kontratës kolektive.

    Sipas Ibrahimit, “mosreagimi i mëtejshëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike, por dëm i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të këtij vendi”.

    Ndërkohë, Qeveria vazhdon të hesht derisa komunat rrënohen.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark