Dyshime për dallavere me tender – Gratë e dëshmorëve në Shtime mbeten në rrugë, nuk shkon autobusi për t’i dërguar në banjë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dyshime për dallavere me tender – Gratë e dëshmorëve në Shtime mbeten në rrugë, nuk shkon autobusi për t’i dërguar në banjë

    Insajderi
    26 June 2025 - 14:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Disa familje të dëshmorëve në Komunën e Shtimes kanë mbetur në rrugë mëngjesin e sotëm, pasi dyshohet se janë mashtruar nga kompania fituese e tenderit, që ishte kontraktuar nga Komuna për t’i dërguar në Banjë të Kllokotit. Familjarët, kryesisht gra, ishin njoftuar se nisja do të bëhej të enjten në orën 07:30, por autobusi nuk është paraqitur në stacionin e caktuar.

    Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, dega në Shtime, Muhamet Bilalli, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se gratë e dëshmorëve janë lënë të presin në rrugë.

    Bilalli tregon se zyrtari komunal u ka thënë se “është prishur autobusi” dhe se udhëtimi është shtyrë për një ditë tjetër.

    “Mbikëqyrësi i kontratës i ka thirrur familjet e dëshmorëve për t’i njoftuar se të enjten, më 26.06, në orën 07:30 do të bëhet nisja. Familjarët janë përgatitur dhe kanë dalë në stacion. Disa prej tyre janë njoftuar në mbrëmje se udhëtimi është anuluar. E kam thirrur zyrtarin dhe e kam pyetur pse po i mashtron familjet e dëshmorëve. Ai më tha që është prishur autobusi dhe nuk kanë mundur të sigurojnë tjetër,” tha Bilalli për Insajderin.

    Ai ka hedhur akuza ndaj zyrtarit komunal Valon Hyseni, duke e akuzuar për keqpërdorim të tenderit të financuar nga Komuna e Shtimes për dërgimin e familjarëve të dëshmorëve në det dhe në banjë.

    “Ne si shoqatë, asnjëherë nuk kemi marrë para për transportin e familjeve të dëshmorëve. Nuk e kam ditur që është prishur autobusi dhe që do të ndodhte ky skandal i panevojshëm. Valoni ka luajtur me tenderin – e ka keqpërdorur. Sot kam folur me banjën në Kllokot, nëna Naile më tha se nuk kishte asnjë rezervim për atë ditë. Përgjigjja e tyre ka qenë e tmerrshme,” theksoi ai.

    Ndërkohë, një version tjetër të ngjarjes ka dhënë për Gazetën zyrtari komunal, Valon Hyseni. Ai nuk përmendi ndonjë defekt në autobus, por ia akuzoi kompaninë fituese të tenderit, “Bres Tours”, e cila kishte marrë përsipër organizimin.

    “Operatori ka pasur përgjegjësi për organizimin. Ai ka kontaktuar me banjën dhe i kanë thënë se nuk ka vende të lira, prandaj udhëtimi është shtyrë për të hënën. Nuk është anuluar. Unë jam në rregull me dokumentacionin dhe gjithçka tjetër. Operatori më njoftoi dje. Ne nuk kemi faj që ai nuk ka njoftuar me kohë,” deklaroi Hyseni, zyrtar në Shërbimet Sociale në komunën e Shtimes.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me kompaninë “Bres Tours”, e cila e ka pranuar se udhëtimi nuk është realizuar siç ishte planifikuar.

    “Po, por kanë qenë të zënë,” tha shkurt Gazmend Hoti, përfaqësues i kompanisë, duke ndërprerë telefonatën.

    Sipas të dhënave zyrtare, vlera e tenderit është rreth 8,500 euro.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark