
Në komentet e tij të para që kur konflikti Iran-Izrael përfundoi me armëpushim, Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei përgëzoi “kombin e madh të Iranit” për “fitoren e tij ndaj regjimit të rremë sionist”.
“Pavarësisht gjithë asaj zhurme dhe me të gjitha ato pretendime, regjimi sionist pothuajse u shemb dhe u shtyp nën goditjet e Republikës Islamike“, u citua ai të thoshte nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, raporton CNN.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara hynë në konflikt me Izraelin “sepse mendonin se nëse nuk hynin, regjimi sionist do të shkatërrohej“.
“Megjithatë, amerikanët nuk fituan asgjë në këtë luftë“.
“Trump tregoi të vërtetën, e bëri të qartë se amerikanët do të jenë të kënaqur vetëm me dorëzimin dhe disfatën e Iranit dhe asgjë tjetër”, tha ai në fjalën e tij, duke iu referuar një postimi në mediat sociale nga presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar ku kërkohej “DORËZIMI PA KUSHT” i Republikës Islamike.
Ai tha se SHBA-të kanë pasur “problem” me regjimin iranian që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 që e solli atë në pushtet, duke shtuar se Uashingtoni ka “fshehur qëllimet” gjatë viteve duke e kritikuar Iranin për “të drejtat e njeriut, pastaj të drejtat e grave, pastaj pasurimin, pastaj programin bërthamor bazë dhe më pas çështjen e prodhimit të raketave”.
“Por në deklaratën e tij, ai zbuloi të vërtetën, tregoi dorën e tij”, tha ai, duke iu referuar Trump. “Presidentët e mëparshëm nuk e thanë këtë, sepse kjo është e papranueshme dhe e palogjikshme t’i thuash një kombi të dorëzohet”.
“Ata dalin me justifikime të ndryshme, por në thelb ata duan dorëzimin e Iranit”, shtoi ai. /Insajderi.org/