Dorian Sadiku: 'Piranja' që bleu shëndetësinë, futi në xhep ministrin dhe u ngjit në majë me lidhje familjare e politike; tani në duart e SPAK - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dorian Sadiku: ‘Piranja’ që bleu shëndetësinë, futi në xhep ministrin dhe u ngjit në majë me lidhje familjare e politike; tani në duart e SPAK

    Insajderi
    26 June 2025 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Si Dorian Sadiku ndërtoi një perandori prej dhjetëra milionë eurosh mbi pazare, lidhje familjare dhe një sistem të kapur nga lart poshtë. SPAK është vonë, por pista është e hapur.

    Dorian Tahir Sadiku, një nga figurat më të fuqishme dhe më të kontestuara të industrisë farmaceutike në Shqipëri, është sot në qendër të një skeme shumëvjeçare që përfshin biznes, politikë dhe përfitime të jashtëzakonshme nga fondet publike. Një raport i huaj që ka rënë në dorë të Pamfleti-t e përkufizon si “profile of concern”, por analiza e hollësishme e fakteve publike dhe transaksioneve të dokumentuara tregon se rasti i Sadikut nuk është më një çështje risku, por një çështje të mirëfilltë kapjeje të shtetit.

    Dorian Sadiku ka ndërtuar një karrierë që në pamje të parë ngjan si histori suksesi. Në vitin 2006 themelon Delta Pharma bashkë me dy ortakë. Vetëm një vit më pas, ai largohet nga pronësia në mënyrë formale, duke ia lënë të gjitha aksionet partnerit, por pa u larguar realisht nga drejtimi i kompanisë. Pikërisht pas këtij “largimi”, kompania nënshkruan kontratën e saj të parë të madhe me një kompani multinacionale, çka konfirmon se Sadiku vijonte të ishte në kontroll të plotë.

    Nga viti 2007 deri më sot, Delta Pharma është shndërruar në një fuqi rajonale: me prezencë në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, me investime në logjistikë, magazina automatike dhe me një qarkullim që në 2022 arriti mbi 4.5 miliardë lekë. Kjo rritje nuk vjen vetëm nga aftësitë tregtare, por nga lidhje të forta politike që fillojnë të dokumentohen sidomos nga viti 2014.

    Në atë vit, Ministria e Shëndetësisë, drejtuar nga Ilir Beqaj, tashmë i burgosur për korrupsion, shpall një tender të madh për barna të rimbursueshme. Fillimisht, tenderi kërkonte “Autorizim të Prodhuesit”, një kriter thelbësor për të garantuar cilësinë dhe për të kufizuar ndërhyrjen e ndërmjetësve. Pas dy javësh, ky kriter hiqet. Kjo manovër përjashtoi kompani ndërkombëtare si Roche dhe Pfizer, ndërsa favorizoi Delta Pharma-n, e cila shpërndante produktet e Novartis.

    Këtu hyn në lojë një element kyç: Deputeti i PD Kliti Hoti, përfaqësues i Novartis për Shqipërinë, është vëllai i gruas së Dorian Sadikut. Lidhja familjare, ndryshimi i kritereve dhe rezultati final i tenderit janë tre hallka që e lidhin në mënyrë direkte Sadikun me përfitimin nga ky proces. Ky është shembulli klasik i konfliktit të interesit me pasoja buxhetore. Dhe ndërsa Beqaj sot ndodhet në burg për afera të tjera, ky episod nuk është përfshirë zyrtarisht në akuzë ndaj përfituesit kryesor;Dorian Sadikut.

    Pas këtij momenti, Sadiku vijon të ndërtojë një strukturë vertikale totale në sektorin farmaceutik. Në 2015 themelon “Metro Farmaci” dhe në 2020 blen 90% të rrjetit “Ditë e Natë”, vetëm pesë muaj pas krijimit të tij. Brenda një viti zotëron 100%. Me këtë lëvizje, Delta Pharma e Sadikut importon dhe shpërndan barnat, ndërsa Metro Farmaci i shet përmes rrjetit të vet të farmacive. Ky nuk është treg i lirë. Është monopol i ndërtuar mbi lidhje dhe financuar nga buxheti i shtetit.

    Në vitin 2022, Sadiku krijon BONDES Holding, një kompani për menaxhimin e aseteve të tij jashtë sektorit farmaceutik. Një vit më pas, themelon SADIKU INVESTMENTS, në pronësi të familjarëve. Të dyja këto kompani shërbejnë për të zhvendosur kapital dhe për të ndërtuar një strukturë mbrojtjeje ndaj hetimeve të mundshme.

    Në janar 2023 ndodh lëvizja më e dyshimtë financiare: krijimi i “Delta Holding” me një ortak formal dhe më pas, më 27 shkurt 2023, shitja e Delta Pharma-s për 903 milion lekë tek kjo kompani e re. Pagesa do bëhet për 10 vjet, nga fitimet që kompania do të gjenerojë; pra, pa asnjë pagesë reale. Ky është një transaksion fiktiv, i ndërtuar për të fshehur pronësinë dhe për të pamundësuar sekuestrimin nga organet ligjzbatuese. Sadiku, që kishte dalë nga kompania në 2007, rikthehet si bashkëpronar me 50%, në mënyrë të heshtur dhe të mbuluar nga skema ligjore.

    Gjatë gjithë kësaj kohe, Dorian Sadiku mban profil të lartë publik. Si President i Unionit të Biznesit Farmaceutik, organizon konferenca, publikon opinione dhe pozicionohet si reformator. Por në prapaskenë, kontrollon rrjetin e barnave, krijon barriera për konkurencën dhe ndikon direkt në vendimmarrjen publike. Kompanitë e tij nuk janë hetuar për fitimet nga tenderët, as për ndryshimet e kritereve të vitit 2014, as për konfliktet e interesit familjar, as për transaksionet e dyshimta të viteve të fundit.

    SPAK ka nisur një hetim mbi këtë rrjet. Janë dokumentuar kontakte, udhëtime të përbashkëta dhe pagesa të dyshimta mes Ilir Beqajt dhe njerëz të lidhur me Sadikun. Por përfituesi final, i cili ka ndërtuar një strukturë që kontrollon barnat, farmacitë dhe investimet, ende nuk është vendosur nën goditje të drejtpërdrejtë.

    Kjo nuk është më një çështje sektori. Është një çështje sistemi. Dorian Sadiku përfaqëson modelin më të pastër të pushtetit ekonomik që përdor lidhje politike për të ndërtuar imunitet ndaj drejtësisë. Dhe për sa kohë ai nuk hetohet si përfitues direkt i aferës Beqaj, për tenderin e 2014-s, për përjashtimin e konkurrentëve, për transaksionet fiktive dhe për kontrollin monopolistik, drejtësia në Shqipëri do të jetë e cunguar.

    Kjo është një provë e qartë se politika dhe biznesi, kur bashkohen në heshtje, krijojnë oligarkë që janë mbi ligjin. SPAK ka sot detyrën të mos mjaftohet me emrat formalë, por të shkojë deri në fund, tek përfituesi real./Pamfleti


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark