
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për krizën e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar aktgjykimin si qartësim të domosdoshëm që i jep fund një bllokade të qëllimshme politike.
Sipas Krasniqit, Kushtetuesja ka konfirmuar se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve dhe se asnjë grup parlamentar nuk ka të drejtë të imponojë ndryshime të rendit të ditës apo votime të fshehta pa bazë kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa procedurë të rregullt,” tha Krasniqi.
Ai theksoi se PDK ka vepruar gjatë gjithë kohës me përgjegjësi dhe seriozitet, duke ofruar zgjidhje dhe duke refuzuar çdo tentativë për thellim të krizës.
“Kemi kërkuar respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale,” u shpreh ai, duke kujtuar se PDK i është bashkuar kërkesës së AAK-së për interpretim kushtetues.
Kryetari i PDK-së akuzoi koalicionin VV-Guxo-Alternativa për vonesa të qëllimshme, ndërsa e mirëpriti vendimin e Kushtetueses si fund të kësaj taktike.
“Gjykata e bëri të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin. Kuvendi duhet të konstituohet dhe kjo duhet të ndodhë menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin,” shkroi ai.
Krasniqi potencoi se PDK do të mbetet pjesë e zgjidhjes dhe bëri thirrje që të gjitha palët të veprojnë me të njëjtin konstruktivitet për të përmbyllur me sukses procesin e konstituimit të institucioneve paszgjedhore.
“PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!”.