A lejohet votimi i fshehtë që e imponoi Dehari? - Ky është interpretimi i Kushtetueses - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    A lejohet votimi i fshehtë që e imponoi Dehari? – Ky është interpretimi i Kushtetueses

    Insajderi
    26 June 2025 - 20:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sqaruar në aktgjykimin e saj të fundit lidhur me krizën e konstituimit të Kuvendit se votimi i fshehtë nuk është i ndaluar, por as i detyrueshëm, dhe se vendosja e tij nuk mund të imponohet pa bazë kushtetuese apo rregullore të qartë.

    Kjo pjesë e aktgjykimit prek drejtpërdrejt zhvillimet në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku kryesuesi nga Lëvizja Vetëvendosje, Avni Dehari, kishte shtyrë përpara një procedurë për votim të fshehtë, veprim ky që kishte shkaktuar përplasje dhe bllokadë institucionale.

    Gjykata sqaron se “çështja e mënyrës së votimit në Seancën Konstituive, përkatësisht nëse duhet të jetë e hapur apo e fshehtë, nuk është përcaktuar as nga Kushtetuta dhe as nga Rregullorja e Kuvendit.”

    Në vendim theksohet se votimi i fshehtë është i paraparë në mënyrë specifike vetëm për raste të veçanta, si zgjedhja e Presidentit (neni 86 i Kushtetutës) apo brenda Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të saj (neni 114). Për sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Kryetarit e nënkryetarëve, Kushtetuta nuk e përcakton formën e votimit.

    Gjykata citon edhe një praktikë të mëhershme (KO119/14), ku thuhet se deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë – qoftë në mënyrë të hapur apo të fshehtë – për, kundër apo të abstenojnë.

    Në një tjetër pjesë të rëndësishme të aktgjykimit thuhet se “deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, duke përmendur se secili deputet është i lirë të vendosë në përputhje me ndërgjegjen dhe vlerësimin e tij për interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

    Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më vonë se 30 ditë.

    Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar po ashtu që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark