
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që përcakton një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
Ambasada amerikane tha se ky vendim nënvizon rëndësinë e proceseve kushtetuese dhe se tani është përgjegjësi e liderëve politikë të veprojnë.
“Është përgjegjësi e liderëve politikë të konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë për Express një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Sipas Ambasadës, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin zhvillimin demokratik të Kosovës dhe janë të gatshme të punojnë me qeverinë e re për të avancuar stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin.
Vendimi i Kushtetueses i publikuar të enjten thekson se partia e parë nuk duhet të bllokojë procesin me të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar Kuvendi, dhe kërkon pjesëmarrjen e të gjitha partive në votim.
Seanca e sotme konstituive pritet të tregojë nëse partitë do t’i përmbahen kësaj kërkese.