
Pozita dhe opozita e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. VV-ja thotë se gjykata e ka lejuar votimin e fshehtë dhe kërkon që procesi të përfundojë menjëherë. Deputeti Hekuran Murati theksoi se nuk ka nevojë për pritje dhe se Kuvendi mund të procedojë menjëherë me votimin e fshehtë.
Në anën tjetër, opozita e sheh ndryshe vendimin. Memli Krasniqi (PDK) tha se Gjykata konfirmoi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve dhe se nuk lejohet votim i fshehtë pa procedurë të rregullt.
Edhe Lumir Abdixhiku (LDK) theksoi se Kushtetuesja mbështeti votimin e hapur dhe kërkoi konsensus e kompromis.
Ramush Haradinaj (AAK) u shpreh se aktgjykimi ofron bazë ligjore për të dalë nga bllokada dhe i bëri thirrje deputetëve të veprojnë për konstituimin e Kuvendit.