
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se Kushtetuesja nuk e ka mbështetur votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, siç ka thënë Lëvizja Vetëvendosje.
Cakolli tutje ka shtuar se nuk është aktgjykimi i Kushtetueses ashtu siç e ka interpretuar VV-ja, se u dha e drejta për votim të fshehtë.
“Në katër elementet kryesore që Gjykata Kushtetuese i ka trajtuar në rastin e fundit, besoj që janë këto vendime:
E para, përcaktimi i afatit 30-ditor për përmbylljen e konstituimit – pra Kuvendi duhet të konstituohet më së largu deri më 26 korrik. Problemi këtu qëndron se nuk është përcaktuar çka ndodh më 27 korrik. Çka nëse edhe deri më 26 korrik deputetët dështojnë ta përmbushin këtë obligim kushtetues?”, deklaroi ai në Klan Kosova.
“E dyta, Gjykata ka përcaktuar që LVV ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por është tentuar të evitohet pjesa tjetër e gjetjes së Gjykatës, e cila për herë të parë ka thënë se kjo e drejtë kushtëzohet me sigurimin e votave. Pra, Gjykata ka sugjeruar se një subjekt politik mund të jetë duke zvarritur procesin, duke propozuar një kandidat pa i pasur votat e nevojshme.”
“E treta, Gjykata ka përcaktuar obligime edhe për partitë opozitare, respektivisht ato që nuk i kanë fituar zgjedhjet. Ndonëse këtë e ka bërë përmes çështjes së nënkryetarëve, në parim ka kërkuar nga opozita që të veprojë në mirëbesim dhe të kontribuojë për gjetjen e një zgjidhjeje.”
“Pika e fundit është çështja e votimit të fshehtë. Këtu partitë kanë interpretime të ndryshme, por e vërteta është ndryshe nga ajo që u proklamua nga Albulena Haxhiu, Glauk Konjufca dhe nga një postim i VV-së. Gjykata nuk e ka promovuar apo lejuar votimin e fshehtë. Sipas nesh, është qartë se ka vetëm një mënyrë të vlefshme votimi në seancën aktuale – votimi i hapur”, përfundoi Cakolli.