
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot me fillim nga ora 16:00 pret në takim të përbashkët liderët e partive politike.
Kurti njoftimin e bëri duke nisur me leximin e partisë së tij lidhur me aktgjykimin që nxori Kushtetuesja, duke thënë se aty theksohet qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, shkroi dje Kurti.
Për këtë takim e kanë konfirmuar pjesëmarrjen partitë shqiptare në Kuvend, PDK, LDK, AAK e Nisma.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët./Insajderi.org/