
Taulant Hodaj, ish-sekretar dhe ish-avokat i FFK-së, është drejtuar me kritika ndaj të FFK-së, të drejtuar nga Agim Ademi.
Ai tha se FFK vazhdon të mbështetet mbi 90% në fondet standarde nga UEFA dhe FIFA. Të hyrat vetanake nuk arrijnë as 5%.
“Asnjë federatë tjetër anëtare e UEFA-s nuk funksionon me këtë nivel të varësisë nga fondet standarde të UEFA-së dhe FIFA-së”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Sipas tij ka mungesë vizioni dhe profesionalizmi në udhëheqje.
Postimi i tij i plotë:
Menaxhim apo keqmenaxhim? Krahasimi FSHF–FFK flet vetë
Lajm i mirë nga Tirana: Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do të shpërndajë 3 milionë euro shtesë për klubet e Kategorisë së Parë, si rezultat i të hyrave të krijuara përmes komercializimit. Kjo arritje është veçanërisht domethënëse duke pasur parasysh se FSHF nuk ka Ligj për Sponsorizime, e as ndonjë lehtësi tatimore – ndryshe nga FFK, e cila i ka të dyja.
Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), me potencial ligjor dhe komercial dukshëm më të madh, vazhdon të mbështetet mbi 90% në fondet standarde nga UEFA dhe FIFA. Të hyrat vetanake nuk arrijnë as 5%. Asnjë federatë tjetër anëtare e UEFA-s nuk funksionon me këtë nivel të varësisë nga fondet standarde të UEFA-së dhe FIFA-së.
Kjo tregon qartë:
Mungesë vizioni dhe profesionalizmi në udhëheqje;
Pashfrytëzim të Ligjit për Sponsorizime – ndër më të avancuarit në Europë;
Dështim në ndërtimin e partneriteteve me sektorin publik dhe privat;
Mungesë të mbështetjes për klubet, infrastrukturën dhe zhvillimin sportiv e profesional.
Kosova ka potencial shumë më të madh se sa po shfrytëzon aktualisht:
Futbolli është sporti më masiv në vend – mbi 80% e të gjithë sporteve;
Kosova është djep i talenteve të futbollit e me plot futbollistë te trajnuar në akademitë sportive evropiane;
Klube me traditë dhe suksese në garat evropiane;
Infrastrukturë ligjore ekzistuese shumë më e avancuar se ajo në Shqipëri.
Kur Shqipëria përmes FSHF-së ndërton stadiume moderne, organizon kompeticione e finale evropiane dhe rrit përkrahjen për klubet – pa mbështetje nga buxheti i shtetit – FFK-ja ngec në vendnumëro, e pa vizion, pa profesionalizëm dhe pa transparencë, duke lënë anash nevojat reale të klubeve dhe lojtarëve.
Kosova dhe Futbolli i Kosovës meritojnë më shumë – jo vetëm për hir të shtetit që kemi kriju me vështirësi, talentëve dhe klubet që i ka, por edhe për mundësitë që po shpërdorohen.