
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka shpërndarë një fjalim të deputetit të Bundestagut gjerman, Peter Beyer, në të cilin ai thekson rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet sigurinë në Kosovë përmes pranisë së NATO-s.
Duke folur në Bundestag, Beyer u shpreh se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Ai përmendi vizitën e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rajon gjatë muajit mars, duke nënvizuar se angazhimi i aleancës veri-atlantike mbetet thelbësor për stabilitetin, shkruan Insajderi.
“Ushtarët e KFOR-it po sigurojnë një ndërlidhje të rëndësishme mes aktorëve politikë dhe komuniteteve të të gjitha etnive”, deklaroi Beyer.
Deputeti gjerman, sipas ambasadorit Ajeti, ka theksuar nevojën për të çmontuar strukturat paralele në veri të Kosovës, të cilat, sipas tij, përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë.
“Lufta kundër strukturave kriminale, bandave dhe grupeve të dhunshme duhet të vazhdojë. Zbulimi i fundit i një arsenali armësh në veri është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë këto struktura për sigurinë dhe stabilitetin,” ka cituar Ajeti fjalët e deputetit gjerman. /Insajderi.org/