
Qytetarët shprehin shqetësim për shkak të moskonstitumit të Kuvendit dhe mosformimit të qeverisë.
Ata thanë për Ekonomia Online se kjo situatë po krijon tensione politike dhe pasiguri.
Qytetari, Mirsad Krasniqi, thotë se gjendja është e rëndë.
“Ishte shqetësuese. Tani sikur u mësuam, po frikohemi mos po bëhet qeveria dhe po ndihemi edhe më keq. Pak me humor… Por është keq. Moskonsitutimi i Kuvendit dhe qeverisë nuk është gjë e mirë, po shihen tendencat. Po të donin partitë opozitare, punë e madhe a kanë ngulur pe për Albulena Haxhiun, atëherë lësho pe ti. Nuk janë të interesuar”, tha Krasniqi.
Qytetari tjetër, Halit Islami, vë në dukje pasojat e zvarritjes së krijimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kjo po ndikon shumë keq, jo vetëm tek qytetarët, por edhe ndaj shtetit. Opozita ka dëshirë të marrë prej popullit dhe Kurtit që të formojë vetë qeverinë. Mirë nuk është kjo punë, vetëm se popullata është duke pritur se a po formohet apo jo, sepse po kërkojnë me stupc të hyhet në Kuvend me iu çepu”, tha Islami.
Ndërsa, qytetari Abdullah Ibishi vlerëson se problemet kryesore për qytetarët janë korrupsioni dhe rritja e pakontrolluar e çmimeve dhe jo mosformimi i qeverisë.
“Kanë kaluar shumë qeveri. Asnjëra nuk ka qenë në nivel, siç duhet. Si me qeveri, si pa qeveri, është njësoj, asgjë nuk ndryshon. Nuk na ka vështirësuar jetën mosformimi i qeverisë, por korrupsioni dhe problemet e tjera ia kanë vështirësuar jetën njerëzve. Rritjet e çmimeve janë të larta. Pa kontroll rriten. Duhet të ketë kontroll dhe të mos guxohet një ditë të shitet një euro, nesër dy euro. Ato janë gjëra të vështira”, tha ai.