
Shkruan: Doruntina Meha
Në demokraci, asnjë lider nuk është më i madh se institucioni që përfaqëson. Askush nuk është më
i rëndësishëm se rregulli që e ka sjellë në pushtet.
Dhe asnjë vullnet nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Në çdo shoqëri që e quan veten demokratike, pushteti është i përkohshëm – ndërsa institucionet duhet të jenë të përhershme. Në Kosovë po ndodh e kundërta: institucionet po zbehen përballë një vullneti që i sheh si pengesë, jo si mekanizma të balancuar të rendit kushtetues.
Demokracitë rrallë bien përmes grushtesh shteti; më shpesh, ato rrëzohen nga brenda – nga liderë
që përdorin institucionet për t’i dobësuar ato, që flasin në emër të popullit për të heshtur pikërisht
zërin e tij.
Kosova sot është në një rrëshqitje të tillë. Nuk jemi ende në pikën e thyerjes së sistemit, por jemi
afër ndërtimit të një modeli ku figura politike zë vendin e institucioneve, dhe vullneti personal
errëson rregullin e shkruar.
Kuvendi është i bllokuar. Qeveria në detyrë sillet si të kishte mandat të plotë. Gjykata Kushtetuese
detyrohet të ndërhyjë për të përcaktuar afate funksionimi, por edhe kjo ndërhyrje keqinterpretohet
qëllimisht nga partia në pushtet. Kjo nuk është më krizë politike – është një zhveshje graduale e republikës nga përmbajtja e saj kushtetuese.
Albin Kurti nuk ka ndërtuar një regjim me mure të dukshme, por ka ngritur një qasje që e sheh
pluralizmin si kërcënim – njësoj si çdo autokrat klasik. Nuk kemi më të bëjmë me një qeveri që
qeveris, por me një pushtet që sillet si sundimtar i pakontestueshëm. Në këtë model, parlamenti
bëhet peng i një individi. Institucionet e pavarura etiketohen si “pengmarrës” nëse nuk i binden.
Kritikët në media e shoqëri trajtohen si armiq, ndërsa çdo mospajtim përkufizohet si tradhti ndaj
popullit.
Ky model nuk është i ri. Historia njeh plot raste kur liderë me legjitimitet të lartë përdorën
demokracinë si trampolinë për ta dobësuar atë. Në fillim flisnin për stabilitet, pastaj për luftë ndaj
sistemit të vjetër, dhe në fund – për mbrojtjen e vullnetit të popullit. Narrativi është i njohur: populli
si justifikim, lideri si shpëtimtar, institucionet si pengesë.
Ka ende njerëz që besojnë se kjo është një fazë. Që sistemi do të korrigjohet vetë. Që lideri do të
zbusë kursin. Por kjo është iluzion. Pushteti nuk vetërregullohet – përkundrazi, sa më gjatë të
heshtet, aq më shumë ai e zë zërin e shoqërisë.
Kur pushteti e legjitimon bllokimin e institucioneve, kur vendimet e gjykatave përdoren si mburojë
për mungesë kompromisi, dhe kur figura bëhet më e rëndësishme se procedura – demokracia
zhvishet nga përmbajtja. Republika nuk është më garanci për të gjithë, por mekanizëm në shërbim
të një rrethi të ngushtë.
Shteti nuk mund të mbështetet në frikën nga prishja e ekuilibrave, por në bindjen se askush nuk
është mbi institucionet – as kur ka shumicën, as kur ka votën, as kur ka zhurmën me vete. Pushteti
demokratik nuk është i pakufizuar. Ai ka kufij, dhe pikërisht kufijtë e bëjnë të drejtë, të durueshëm
dhe të përkohshëm.
Por kur kufijtë shkelen, kur institucionet përbuzen dhe liderët sillen si të pazëvendësueshëm,
atëherë demokracia nuk ka më garantë. Ajo rrëshqet ngadalë, në heshtje – derisa zgjohemi në një
rend ku rregullat janë bërë të panevojshme, dhe bindja është bërë mjet për të mbijetuar.