
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën se po e pengon anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), pasi ajo ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Shërbimet e Pagesave.
Sipas Muratit, opozita nuk po bllokon vetëm konstituimin e Kuvendit, por edhe integrimin e Kosovës në mekanizma të rëndësishëm si SEPA.
“Aktiviteti bllokues i opozitës nuk ka filluar vetëm tash me bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Për shembull, opozita e ka bllokuar edhe integrimin e Kosovës në SEPA, duke dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për Shërbimet e Pagesave, ligj i cili është transpozim i direktivës së BE-së dhe njëkohësisht parakusht për integrim në SEPA”, ka thënë Murati.
Ai theksoi se SEPA është sistemi evropian i pagesave që mundëson transferta ndërkombëtare me kosto minimale, dhe se rreth 50 milionë euro në tarifa në vit do të kursenin bizneset dhe diaspora nëse Kosova anëtarësohej.
“Mos vallë edhe për këtë i ka fajet Albin Kurti?” ka shtuar Murati.