Tenderi i parashikuar 100 mijë euro - Kompania e ish kandidatit për deputet të LDK'së shpërblehet me tender nga Rama - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderi i parashikuar 100 mijë euro – Kompania e ish kandidatit për deputet të LDK’së shpërblehet me tender nga Rama

    Insajderi
    03 July 2025 - 14:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama, ka shpërblyer me tender kompaninë e ish kandidatit për deputet nga LDK’ja, Besim Mulajt. Tenderi kishte qenë me çmim të parashikuar 100 mijë euro, ndërkohë që çmimi total është përdorur procedura me ofertë të poentuar. Besim Mulaj, zotëron 100% të aksioneve të kompanisë ART – EDA SH.P.K. Mulaj është një figurë e angazhuar në LDK, gjë që ka ngjallur dyshime për ndikim politik në këtë proces. Insajderi ju sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Prishtinës, me 16 prill të këtij viti, kishte hapur tenderin “Ndërtimi dhe renovimi i Qendrave të ndryshme sociale në lagjet Kodra e Trimave , Tophane , Qafa , Aktashi , Pejtoni , “Ulpiana”.

    Vlera e parashikuar e këtij tenderi kishte qenë 100 mijë euro.

    Ndërkohë me 25 qershor, e ka nënshkruar kontratën.

    Fituese të tenderit, jane grupi i Operatorëve Ekonomik: ART – EDA SH.P.K, H & S Partners Group
    SH.P.K.

    Çmimi i poentuar i kontratës thuhet se është 19 mijë e 667.73 euro.

    Kush është njëra kompani fituese e këtij tenderi?

    Njëra kompani fituese, e tenderit për Ndërtimin dhe renovimin e Qendrave të ndryshme sociale në lagjet Kodra e Trimave , Tophane , Qafa , Aktashi , Pejtoni , “Ulpiana”, është ART – EDA SH.P.K.

    ART – EDA SH.P.K. është kompani e regjistruar në vitin 2017.

    E cila është në pronësinë e ish kandidatit për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besim Mulaj.

    Mulaj në kompaninë ART – EDA, ka 100 përqind të aksioneve, duke qenë pronar i vetëm.

    Besim Mulaj ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Mulaj pati garuar me numrin 79. Dhe kishte qenë mjaft aktiv gjatë fushatës zgjedhore.

    Madje, jo rrallë herë, ai ishte parë edhe krah kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

    Vetë Mulaj kishte publikuar një foto gjatë fushatës zgjedhore, ku shiheshin të përqafuar e të qeshur me Ramën.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Prishtinës, se a ka ndikuar afërsia politike e Mulajt, që të shpërblehet me tender, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje. Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark