Javën e kaluar, Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur tetë institucione shëndetësore private që po operonin pa licencë në Kosovë.
(Ky artikull është edituar)
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte deklaruar se ky veprim është pjesë e angazhimit të inspektoratit për të garantuar respektimin e ligjit dhe standardeve të shërbimeve shëndetësore.
Sipas dokumenteve të publikuara nga nga Veriu.info, në mesin e institucioneve të mbyllura është edhe poliklinika “Euromed Group” Sh.P.K., me pronar Leart Jakupi, ndaj së cilës është marrë vendim për mbyllje pas inspektimit të kryer më 24.06.2025.
I kontaktuar nga Insajderi, Jakupi ka sqaruar se atij i është mbyllur vetëm laboratori, për të cilin thotë që madje nuk e kishte as aktiv.
Ai ka dërguar në redaksinë e Insajderit edhe procesverbalin ku evidentohet ky deklarim i tij.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se vendimet dhe raportet e plota të inspektimeve janë ende në përgatitje, ndërsa aktualisht kanë publikuar vetëm listën e institucioneve të mbyllura.