
Një zjarr i madh ka shpërthyer mbrëmjen e së enjtes në një objekt në zonën industriale të Prishtinës, ku ndodhet një nga depot e kompanisë IPKO. Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Sipas njoftimit zyrtar nga IPKO, falë reagimit të shpejtë të shërbimeve emergjente dhe ekipeve të brendshme të kompanisë, situata është vënë nën kontroll dhe zjarri është shuar plotësisht.
“Aktualisht është duke u zhvilluar një vlerësim i brendshëm dhe po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet përkatëse për të përcaktuar shkakun e zjarrit”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kompania ka theksuar se infrastruktura dhe shërbimet nuk janë prekur nga zjarri dhe se të gjitha operacionet po vazhdojnë normalisht pa asnjë ndërprerje.
“Dëshirojmë t’i sigurojmë klientët, partnerët dhe opinionin publik se shërbimet dhe infrastruktura nuk janë prekur. Të gjitha operacionet e IPKO-së vazhdojnë normalisht pa asnjë ndërprerje”.
“IPKO mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, sigurisë dhe shërbimit të pandërprerë për të gjithë klientët tanë”, thuhet në deklaratën e kompanisë./Insajderi