
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar sot pezullimin e një rreshteri dhe dy zyrtarëve policorë në Stacionin Policor të Suharekës, pas vdekjes së një personi që ishte ndaluar nën dyshimin për dhunë në familje.
Sipas të dhënave fillestare nga hetimet, viktima dyshohet se i ka dhënë fund jetës brenda dhomës së ndalimit. Ky zhvillim ka ngritur dyshime për neglizhencë të mundshme nga ana e zyrtarëve policorë, të cilët ndoshta nuk kanë përmbushur siç duhet detyrat e tyre për të siguruar mbrojtjen e të ndaluarit.
Suspendimi i tyre, siç ka njoftuar IPK, është një masë e përkohshme që synon të mbrojë integritetin e hetimeve dhe të parandalojë çdo ndërhyrje në procesin hetimor.
“Hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë”, njofton IPK-ja.