
Tenderi për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A, me vlerë 137,340,000 euro, është pezulluar dje nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e ofertave.
Për këtë çështje ka reaguar ministri në detyrë, Hekuran Murati, i cili e cilësoi OSHP-në si “institucion të kapur nga opozita”. Sipas tij, sa herë që KEK tenton të rrisë kapacitetet gjeneruese, opozita mobilizohet përmes institucioneve të kapura për të bllokuar projektet që do të siguronin rritjen e kapaciteteve publike dhe të sigurisë së furnizimit me energji.
Murati përmendi si shembull tenderin për rehabilitimin e bllokut A3, për të cilin sipas tij ka pasur sulme të vazhdueshme nga opozita, si dhe projekte të tjera të bllokuara më parë, përfshirë kontratën me General Electric për ndërrimin e turbinave të TC Kosova B1 dhe B2, marrëveshjen me EIB për ndërtimin e kapacitetit prej 100 MW energji solare dhe projektin e Bilfinger për rehabilitimin e blloqeve të TC Kosova A.
Murati paralajmëroi se pezullimi i tenderit do të shkaktojë vonesa të reja në rehabilitimin e njësisë A3, duke theksuar se qytetarët duhet të gjykojnë vetë se kush po i shërben interesave publike dhe kush, sipas tij, po i shërben “mafies energjetike”.