Ekskluzive | Këto janë 8 bizneset private shëndetësore që u mbyllën nga Ministria - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ekskluzive | Këto janë 8 bizneset private shëndetësore që u mbyllën nga Ministria

    Insajderi
    04 July 2025 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjatë periudhës 23 deri më 27 qershor 2025, Inspektorati Shëndetësor ka ndërmarrë masa rigoroze ndaj disa institucioneve private shëndetësore në vend.

    Sipas një përgjigjeje zyrtare për Insajderin nga Ministria e Shëndetësisë, gjithsej tetë institucione janë mbyllur pas inspektimeve të kryera në këtë periudhë.

    “Ju njoftojmë se gjatë periudhës 23-27 qershor 2025, Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur gjithsej 8 (tetë) institucione shëndetësore private”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Prej tyre, gjashtë janë qendra logopedike, kryesisht të vendosura në Prishtinë, një laborator në Skenderaj dhe një poliklinikë në Fushë Kosovë.

    Në një rast specifik, Instituti për shërbime psikologjike sociale Visar Sadiku SHPK, ka marrë ndalim për ofrimin e shërbimeve shëndetësore logopedike, siç thuhet në tabelën zyrtare që MSH ka bashkëngjitur me përgjigjen.

    Institucionet e mbyllura janë:

    Kabineti Logopedik Logos ABC SHPK – Prishtinë

    SPSH Ordinanca Logopedike Logos – Prishtinë

    Euromed Group SHPK – Fushë Kosovë

    Logopedia – Prishtinë

    Logopedi me Dafinen SHPK – Prishtinë

    Instituti për shërbime psikologjike sociale Visar Sadiku SHPK – Prishtinë (ndalim i shërbimeve logopedike)

    Laboratori Arizona B.I – Skenderaj

    Ordinanca Logopedike Logos – Prishtinë

    Ministria ka njoftuar gjithashtu se dokumentacioni i plotë (raporti dhe vendimi për secilin rast) është në përgatitje nga ana e inspektorëve dhe do të dorëzohet në afat ligjor.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me shumicën e pronarëve të institucioneve private që u përfshinë në listën e Inspektoratit Shëndetësor.

    Nga të kontaktuarit, vetëm Visar Sadiku, pronar i “Institutit për shërbime psikologjike sociale Visar Sadiku SHPK”, ka kthyer përgjigje.

    Ai ka konfirmuar se e inspektimi i Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka rezultuar me mbylljen e institucionit, por vetëm me ndalimin e ofrimit të shërbimeve logopedike jashtë ambienteve të licencuara si ambulanca.

    Sadiku sqaron se gjatë inspektimit, Inspektorati Shëndetësor ka kërkuar që shërbimet e logopedisë të mos ofrohen në institucionet që nuk janë të regjistruara si ambulanca, si dhe është kërkuar që psikologët klinikë të mos përdorin kodet klinike për diagnostifikim në mënyrë të papërshtatshme.

    “Institucioni ka marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe i ka zbatuar ato në përputhje me rregulloret ligjore. Veprimtaria vazhdon normalisht, pasi stafi ynë posedon licencat përkatëse nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nuk ka pasur asnjë vendim për mbyllje të institucionit,” tha Sadiku për Insajderin.

    Në një përgjigje për Insajderin, “Euromed Group” mohoi që klinika të jetë mbyllur në tërësi, duke sqaruar se mbyllja ka ndodhur vetëm për laboratorin.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark