
Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se arrestim i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, është një kidnapim të mirëfilltë nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit.
“Arrestimi politik i qytetarit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi akuza absurde tash e një muaj, është dëshmi e qartë se Serbia vazhdon të operojë me mendësinë e vjetër. Ky arrestim përbën një kidnapim të mirëfilltë nga shteti serb, më saktësisht nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka kërkuar që të gjitha takimet bilaterale me Serbinë të kushtëzohen me lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Spahiut, duke theksuar se Serbia po vazhdon të sillet si një shtet i vetë-kapur, që shkel çdo parim demokratik dhe të drejtë njerëzore.
Në fund, Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të sektorit të sigurisë, përfshirë edhe ish-ushtarët e UÇK-së, që të evitojnë udhëtimin përmes Serbisë për shkak të rrezikut të arrestimeve të motivuara politikisht.