
Novak Djokoviç është bërë objekt kritikash pas një veprimi të tij në Wimbledon, që u interpretua si mbështetje për protestat studentore kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit në Serbi.
Ish-ministrja Zorana Mihajloviç, gjatë një interviste në televizionin “Pink”, e sulmoi hapur tenistin, duke thënë: Pa dyshim që është një sportist fantastik, por edhe tatimpagues i Monacos. Familja e tij është nga Kosova, ai fitoi në Wimbledon dhe tani bën pompa. Fillimisht, fshihet pas fëmijëve – gjë që mendoj se është shumë e shëmtuar — dhe, së dyti, vihet në anën e atyre që kryejnë dhunë në këtë vend dhe mbështet ata që duan një Kosovë të pavarur.
Mediat pro-qeveritare kanë nisur gjithashtu ta kritikojnë Djokoviçin, duke e lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë festimeve pas fitoreve në Wimbledon, Djokoviç simuloi pompa – një veprim simbol i protestave që po zhvillohen në Serbi prej dhjetorit të kaluar.
Protestuesit, kryesisht studentë, kanë paralizuar vendin prej ditësh duke bllokuar rrugët dhe hekurudhat.
Ata kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, lirimin e studentëve të arrestuar dhe heqjen e kampit me çadra të ngritur nga Partia Përparimtare Serbe mes Presidencës dhe Kuvendit në Beograd./TopChannel