
Autor: Zyhdi Hajzeri- Jurist dhe Imam
Nuk ka asnjë dyshim se drejtësia përbën themelet e çdo sistemi ligjor të qëndrueshëm dhe është shtylla që garanton paqen, sigurinë dhe rendin brenda shoqërisë qoftë ajo moderne apo jo. Që nga lashtësia, përpjekjet njerëzore për të ndërtuar sisteme juridike të drejta kanë kaluar nëpër forma dhe mënyra të ndryshme te organizimit juridik, duke reflektuar besimet, nevojat dhe evolucionin shoqëror të çdo epoke. Në këtë kontekst, jurisprudenca penale islame përfaqëson një sistem ligjor tradicional me rrënjë të thella në burime normash që konsiderohen të pandryshueshme e qe ne shumice janë burime hyjnore te shenjta, profetike por edhe burime te traditave te mbushura me drejtësi dhe mëshirë, ndërsa legjislacionet moderne janë ndërtuar mbi themele racionale dhe pozitive, të përcaktuara nga ligjvënësit në përputhje me zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe kohen e fundit edhe ne përputhje me zhvillimet moderne teknologjike.
Në thelbin e jurisprudencës penale islame qëndron koncepti i drejtësisë si një urdhër universal dhe i detyrueshëm për çdo autoritet. Parimi që çdo individ është përgjegjës vetëm për veprat e tij dhe nuk mund të ndëshkohet për fajin e tjetrit, është një nga rregullat qendrore dhe baze në këtë sistem. Sipas këtij koncepti, asnjë person nuk mund të akuzohet dhe as të ndëshkohet pa një provë të qartë dhe të pakontestueshme. Gjithashtu, në këtë sistem është theksuar rëndësia e proporcionalitetit midis veprës penale dhe ndëshkimit të përcaktuar ligjërisht, duke ruajtur barazinë mes individëve dhe duke shmangur padrejtësitë që mund të burojnë nga teprimi në ndëshkim apo nga diskriminimi në trajtimin e të akuzuarve.
Një tjetër aspekt që zen vend te posaçëm dhe ka një rëndësi te veçantë në jurisprudencën penale islame është parimi i prezumimit të pafajësisë. Çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme. Kjo ndjeshmëri dhe kujdes ndaj të drejtave individuale përkon me praktikat më të avancuara të së drejtës bashkëkohore dhe e bën këtë sistem të krahasueshëm, në disa elemente themelore, me parimet moderne të drejtësisë penale.
Një element tjetër për t’u theksuar në jurisprudencën penale islame është parimi i legalitetit penal. Kjo do të thotë se askush nuk mund të ndëshkohet për një vepër që nuk është e përcaktuar si e tillë nga një burim normativ përpara kryerjes së saj. Ky parim përjashton çdo formë të ndëshkimit arbitrar, duke garantuar siguri juridike për individin. Gjithashtu, ky sistem përfshin edhe parimin e evitimit të ndëshkimit në rast të dyshimeve të arsyeshme, duke vendosur një standard të lartë për provën dhe duke mbrojtur individin nga padrejtësitë e mundshme që mund të lindin nga një proces penal i pabazuar.
Në anën tjetër, legjislacionet moderne janë zhvilluar mbi bazën e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve. Drejtësia moderne konceptohet si një instrument institucional që duhet të garantojë paanësi dhe objektivitet në zbatimin e ligjit. Këto sisteme janë ndërtuar në përputhje me vlera të përbashkëta njerëzore si liria, barazia, siguria juridike dhe përgjegjësia penale e kufizuar vetëm për aktet e parashikuara më parë nga ligji.
Në sistemet moderne, drejtësia është gjithashtu një mjet i kontrollit dhe kujdesit te veçantë ndaj abuzimit të pushtetitnga ata te veshur me pushtet. Parimi i pavarësisë së gjyqësorit siguron që vendimet gjyqësore të jenë të paanshme dhe të bazuara vetëm në ligj. Në këtë mënyrë, procesi penal garanton mbrojtjen e të drejtave themelore të të akuzuarit, duke përfshirë të drejtën për mbrojtje, të drejtën për një gjykim të drejtë, të drejtën për t’u konsideruar i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, si dhe të drejtën për apelim të vendimeve të gjykatës ne te gjitha shkallet e gjykatave te përcaktuar me legjislacion.
Një aspekt i rëndësishëm i drejtësisë penale moderne është edhe ndalimi i aplikimit të ligjit penal në mënyrë retroaktive, përveçse në rastet kur ky aplikim është në favor të të akuzuarit. Kjo garanton stabilitetin dhe parashikueshmërinë e sistemit ligjor dhe siguron që individët të mos ndëshkohen për akte që në kohën e kryerjes së tyre nuk ishin të ndaluara me ligj.
Pavarësisht se burimet e normave janë të ndryshme – në jurisprudencën islame kemi referenca nga tekstet e shenjta, ndërsa në sistemet moderne nga aktet ligjore të miratuara nga parlamentet – qëllimi është në thelb i njëjtë: mbrojtja e të drejtave të individit, sigurimi i një shoqërie të drejtë dhe shmangia e arbitraritetit nga ana e autoriteteve publike.
Kur analizojmë më në thellësi, gjejmë se edhe në të drejtën islame, ashtu si në sistemet moderne, ndalohet ndëshkimi pa një proces të drejtë. Në të dyja rastet, parimi i sigurisë juridike është themelor, dhe sanksionet nuk mund të aplikohen në mënyrë të njëanshme apo të paargumentuar. Në jurisprudencën islame, në rast dyshimi, dënimi duhet të pezullohet, parim ky që në të drejtën moderne përkthehet në favor të të pandehurit në raste dyshimi (in dubio pro reo).
Përkundër përputhjeve të shumta parimore, ekzistojnë edhe sfida të mëdha për një harmonizim të plotë midis të drejtës penale islame dhe të drejtës penale moderne. Një nga vështirësitë kryesore qëndron në natyrën e burimeve juridike. Jurisprudenca islame është e lidhur ngushtë me tekstet që për shumëkënd konsiderohen të pandryshueshme, ndërsa sistemi modern mbështetet në evolucionin e normave përmes interpretimit dhe reformës legjislative. Po ashtu, në disa vende, pranimi shoqëror i dënimeve tradicionale, si ato që përfshijnë ndëshkime trupore, është në rënie për shkak të ndikimit të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe standardeve universale.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që harmonizimi është i pamundur. Disa shtete si Arabia Saudite, Maroku dhe Sudani kanë ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të përputhur sistemin tradicional me kërkesat moderne të të drejtave të njeriut dhe zhvillimeve shoqërore. Këto shtete kanë krijuar korniza të veçanta ligjore që ndërthurin dispozita të jurisprudencës islame me legjislacion të kodifikuar modern. Për shembull, përdorimi i dënimeve alternative si një formë fleksibile e ndëshkimit e lejon shtetin të mbajë parimet themelore të traditës juridikeislame, ndërkohë që zbaton standarde që respektojnë dinjitetin dhe liritë themelore të njeriut.
Gjithashtu, në këto modele vërehet një tendencë drejt përdorimit të mekanizmave bashkëkohor si gjykatat e specializuara, reformat penale, rritja e profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe integrimi i parimeve të së drejtës ndërkombëtare në jurisprudencën vendore. Këto përpjekje nuk janë të lehta dhe shpesh hasin ne rezistencë nga rrymat e ndryshme te ngurta dhe te pa ditura me mendje te mbyllura, por ato paraqesin një hap pozitiv drejt ndërtimit të një sistemi ligjor më gjithëpërfshirës dhe më të përgjegjshëm ndaj nevojave të qytetarëve.
Drejtësia nuk është thjesht një koncept teorik, por një mekanizëm real për të ndërtuar dhe mbrojtur një rend shoqëror të drejtë. Qasja krahasuese tregon se megjithëse jurisprudenca penale islame dhe legjislacionet moderne vijnë nga kontekste dhe burime të ndryshme, ato përmbajnë një thelb të përbashkët që synon drejtësinë, sigurinë juridike dhe barazinë para ligjit. Ajo që mbetet sfidë është gjetja e një mënyre të balancuar për të ruajtur vlerat tradicionale pa cënuar të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në të drejtën ndërkombëtare. Me një qasje të kujdesshme dhe progresive, me individ qe mendojnë me koke te qete dhe jo te nxehtë, me intelektual qe njohin te dy legjislacionet juridike sepse ne këtë formë është e mundur të ndërtohet një sistem drejtësie që përfshin më të mirën nga të dy traditat dhe që u përgjigjet nevojave të shoqërisë bashkëkohore.