“Nuk jemi pjesë e manipulimit procedural” – Sala Jashari i kundërpërgjigjet Deharit për votimin e fshehtë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nuk jemi pjesë e manipulimit procedural” – Sala Jashari i kundërpërgjigjet Deharit për votimin e fshehtë

    Insajderi
    06 July 2025 - 22:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja më e re në moshë e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari, i ka reaguar ashpër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili ka këmbëngulur se pyetja e deputetëve për mënyrën e votimit (të hapur apo të fshehtë) do të përbënte shkelje kushtetuese.

    Sipas Jasharit, interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje është bërë “sipas dëshirës” dhe në funksion të qëllimeve të veta politike.

    “Z. Dehari pretendon se duke mos votuar për komisionin për votim të fshehtë, deputetët kanë refuzuar një të drejtë të garantuar nga Gjykata Kushtetuese, por ky është thjeshtë një shtrembërim i kuptimit të aktgjykimit dhe i të drejtës parlamentare”.

    “Ne nuk kemi refuzuar asgjë, thjeshtë nuk jemi bërë pjesë e një manipulimi procedural që synon të fshehë mungesën e legjitimitetit”, tha Jashari për Klankosova.tv.

    Tutje, ajo u shpreh se trajtimi i seancës konstituive nga Dehari ka qenë “partiak dhe selektiv”, si dhe në kundërshtim me parimin e neutralitetit institucional që duhet ta ketë një kryesues i përkohshëm, shkruan Insajderi.

    “Si deputetja më e re mund të them se nuk mund të përdoret Kushtetuta si justifikim për ta tejkaluar vullnetin politik të shumicës së deputetëve që nuk e mbështesin imponimin e një mënyre votimi, e cila nuk është produkt konsensusi, por dëshirë e një subjekti të vetëm”, përfundoi ajo.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark