Temperaturat mbi 40°C - Greqia urdhëron pushime nga puna për shkak të vapës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Temperaturat mbi 40°C – Greqia urdhëron pushime nga puna për shkak të vapës

    Insajderi
    07 July 2025 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autoritetet greke kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin nga e diela dhe pritet të zgjasë deri të enjten.

    Në disa rajone të Greqisë, ku temperaturat pritet të kalojnë mbi 40 gradë Celsius, Ministria e Punës ka urdhëruar pushime të detyrueshme nga puna dhe ndalim të aktiviteteve fizike në ambient të hapur nga ora 12:00 deri në 17:00.

    Këto masa do të zbatohen kryesisht në rajonet qendrore të vendit dhe në disa ishuj. Punëdhënësve u është kërkuar të mundësojnë punën nga distanca për aq sa është e mundur, në mënyrë që të mbrojnë punëtorët nga rreziku i goditjes nga të nxehtit.

    Në Athinë nuk janë vendosur masa emergjente, pasi temperaturat aktuale nuk janë konsideruar të pazakonta për kryeqytetin. Megjithatë, meteorologët paralajmërojnë se kulmi i nxehtësisë pritet të jetë të martën dhe të mërkurën, ndërsa një rënie graduale në rreth 35 gradë parashikohet drejt fundit të javës.

    Temperaturat më ekstreme pritet të prekin zonat e ulëta të Greqisë qendrore, ndërsa në ishuj dhe përgjatë bregdetit ato do të jenë pak më të ulëta – mesatarisht 3 deri në 5 gradë më pak.

    Qytetarëve u është rekomanduar të qëndrojnë në ambiente të freskëta gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë shumë ujë, të shmangin alkoolin dhe aktivitetet fizike të rënda, si dhe të ushqehen lehtë. Për personat më të cenueshëm, si të pastrehët dhe ata pa ajër të kondicionuar, janë hapur qendra të posaçme me ambiente të freskuara.

    Temperatura të larta po mbretërojnë edhe në vende të tjera të Evropës, përfshirë rajonin e Ballkanit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark