Dyshimet e para - ja nga çka dyshohet se vdiq 27 vjeçari në Lipjan që u arrestua nga Policia - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dyshimet e para – ja nga çka dyshohet se vdiq 27 vjeçari në Lipjan që u arrestua nga Policia

    Insajderi
    08 July 2025 - 11:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi mëson se në Inspektoratin Policor të Kosovës, i cili po e heton rastin me autorizim të Prokurorisë, tashmë kanë dalë dyshimet e para lidhur me vdekjen e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit që humbi jetën pas ndërhyrjes së Policisë në Lipjan.

    Sipas këtyre dyshimeve fillestare, përtej gjendjes shëndetësore paraprake që kishte Zejnullahu para se të arrestohej, vdekja e tij mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.

    Ende nuk është e qartë nëse kjo ndrydhje ka rezultuar në sulm në zemër apo në asfiksion (pengim të frymëmarrjes), por një raport më i zgjeruar pritet të dalë gjatë ditëve në vijim.

    Ndërkohë, Instituti i Mjekësisë Ligjore po pret të kompletojë edhe pjesën e analizave toksikologjike, të cilat do të sqarojnë nëse viktima ka qenë apo jo nën ndikimin e substancave narkotike apo alkoolit në momentin kritik para vdekjes.

    Pesë policë u arrestuan për veprën penale “Vrasje nga Pakujdesia” për rastin e arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, i cili dyshohej se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Insajderin ka konfirmuar arrestimin e policëve, por refuzoi të japë më shumë detaje meqë tha se mund të dëmtohet integriteti i hetimeve.

    “E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, tha prokuroria në përgjigje.

    Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë.

    Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Gjatë ndërhyrjes, atij iu vendosen prangat. Policia raporton se përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor, 27‑vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes./Insajderi

    Pas këtij shkrimi kanë reaguar nga IML:

    Me urdheresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të ndjerin Agon Zejnullahu.

    Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.

    Ne kemi parë sot nëpër portale të ndryshme lajmin se ka dalur raporti preliminar për rastin në fjalë.

    Me përgjegjësi morale e profesionale, deklarojmë se nga IML nuk ka dalur ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm si i tillë është jo i vërtetë.

    Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.

    IML është e përkushtuar në mandatin e saj ligjor, në mënyrë që të ofroj ekspertizën mjeko ligjore për organet e drejtësisë dhe qytetarët e Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark