Kurti për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan: Duhet hetim profesional, tendenca anti-polici e dëmshme - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan: Duhet hetim profesional, tendenca anti-polici e dëmshme

    Insajderi
    09 July 2025 - 10:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nevojitet hetim i plotë lidhur me rastin e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit që “u vra nga pakujdesia” nga pesë policë në Lipjan në mesnatën e së hënës.

    Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se nuk do të ketë strehë në institucione për këdo që ka tejkaluar kompetencat zyrtare, shkruan Insajderi.

    Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumeçka që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike edhe falë incizimeve të dëshmitarëve. Për të kuptuar gjithçka se çfarë ka ndodhur, duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj dhe pres hetim të thellë dhe sa më të shpejt që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat, ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia“, deklaroi ai.

    Dua të bëj të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat gjatë detyrës zyrtare. Shërbimi në uniformë është fisnikëri, por autoriteti i mveshur me uniformë është përgjegjësi. Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike që po jepen janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit. Tendencat që me nisë një anti-fushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje. Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta. Ato më së miri realizohen me rezultate të plota të hetimeve. Vetëm atëherë sigurohemi që llogaridhënia institucionale bëhet përgjigje për rastin dhe garanci që situata të ngjashme sikurse ajo e 7 korrikut të mos përsëriten asnjëherë“, vijoi Kurti. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark