
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thirrur për të hënën një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, ku do të kompletohen dhe zyrtarizohen të gjitha kandidaturat për kryetarë komunash për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 12 tetor.
Partia ka publikuar tashmë një pjesë të kandidatëve në disa nga komunat kryesore të vendit. Në komunat që aktualisht janë në drejtimin e AAK-së – Gjakovë, Klinë, Suharekë, Rahovec dhe Deçan – kryetarët aktualë do të garojnë për një mandat të ri katërvjeçar, duke synuar vazhdimësinë në udhëheqje.
Për komunat e tjera, AAK ka emëruar këta kandidatë: Ali Berisha për Pejën, Bekë Berisha për Prishtinën, Nazim Gagica për Gjilanin, Besnik Krasniqi për Prizrenin, Xhemile Murati për Ferizajn, Qazim Nimani për Mitrovicën, Faton Jakupi për Kamenicën, Agron Kuçi për Junikun, Ukë Blakaj për Istogun, Vildane Latifi për Fushë Kosovën, Baki Feta për Podujevën, Labinot Bislimi për Vitinë dhe Ilir Tasholli për Lipjanin.