
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Suboticës për të zgjatur edhe për 30 ditë masën e paraburgimit ndaj shtetasit kosovar Arbnor Spahiu. MPJD ka bërë të ditur se, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po vazhdon përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të tij dhe adresimin institucional të rastit.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po vazhdon përpjekjet intensive për trajtimin e drejtë dhe adresimin institucional të rastit të arrestimit të z. Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe,” thuhet në njoftimin e MPJD-së, shkruan Insajderi.
Zyra Ndërlidhëse ka konfirmuar se, sipas avokatit mbrojtës të Spahiut, autoritetet serbe ende nuk kanë paraqitur prova që do të mbështesnin akuzat ndaj tij. “Deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore”, ka informuar avokati.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, “z. Spahiu e kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjes së Banjskës”, çka bie ndesh me pretendimet e Prokurorisë së Lartë të Suboticës për përfshirjen e tij në rastin e armatosur të ndodhur më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës.
Përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse në Beograd kanë komunikuar edhe me familjen e z. Spahiu, duke i mbajtur të informuar për çdo zhvillim. “Përkatësisht me bashkëshorten e tij, të cilën e kanë informuar për vendimin e fundit të gjykatës”, thuhet në njoftim. Sipas MPJD-së, familjarët kanë bërë të ditur se nesër, më 10 korrik, do të udhëtojnë drejt Suboticës për vizitë dhe do të ndalen gjithashtu në Beograd për një takim me përfaqësues të Zyrës.
Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi “do të paraqesë kërkesë formale për lejimin e vizitës tek z. Spahiu, miratimi i të cilës pritet të bëhet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme”.
MPJD ka theksuar se mbetet e përkushtuar për një trajtim të drejtë dhe transparent të rastit.
“MPJD rikonfirmon përkushtimin e saj që ky rast të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimet që rrjedhin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.
Ministria ka shtuar se për çdo zhvillim të mëtejmë do të informojë me kohë mediat dhe opinionin publik.