Dyshime për neglizhencë në rastin Zejnullahu, Oda e Mjekëve hap hetime për mjeken - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dyshime për neglizhencë në rastin Zejnullahu, Oda e Mjekëve hap hetime për mjeken

    Insajderi
    09 July 2025 - 19:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetime ndaj mjekes në rastin e Agon Zejnullahut, i cili vdiq gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës në Lipjan.

    Oda e Mjekëve të Kosovës përmes organeve të saj ndjekëse, ka nisur hetimet për dyshimet për mos dhënie të ndihmës së parë nga mjekja e ekipës së Urgjencës së komunës së Lipjanit në rastin e Agon Zejnullahut, shkruan Insajderi.

    Insajderi ka mësuar se tashmë është dhënë autorizimi për Prokurorin e OMK-së që të fillojë hetimet. Hetimet do të zhvillohen për dy dyshime, për mos dhënie të ndihmës së parë si dhe për deklarime të paautorizuara.

    Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar edhe kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu. Ai ka thënë se rasti është analizuar sot nga organet e Odës dhe është vendosur që të iniciohen të gjitha masat sipas Ligjit dhe kompetencave që i ka kjo organizatë.

    Agon Zejnullahut vdiq në orët e para të datës 7 korrik. Ai ndërroi jetë gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës.

    Rasti është alarmuar nga mediat meqë siç shihet në video incizime i ndjeri është arrestuar dhunshëm nga pesë policë. Në video shihet se si policët i hidhen sipër, e madje njëri nga ta ia vendos gjurin mbi qafë. Në këtë moment Zejnullahu i ndalon lëvizjet.

    Policët pasi ia vendosin prangat e ngritin të ndjerin ulur në gjunjë, por ai nuk jep shenja jete. I ndjeri lihet në këtë gjendje për disa minuta derisa vjen autoambulanca nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në komunën e Lipjanit.

    Mjekja përgjegjëse nuk e kontrollon për shenja vitale dhe as nuk i jep ndihmën e parë. Ajo në një deklarim për media ka thënë se policët i kanë kërkuar një barelë për ta vendosur dhe për ta futur në autoambulancë. I ndjeri vendoset në barelë me duar të lidhura.

    Sipas mjekes, vdekjen e të ndjerit e ka konstatuar pasi e kanë hipur në autoambulancë. Sipas saj është tentuar t’i jepet ndihma e parë por nuk ka pasur efekt.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark