
Edhe për dy muaj të tjerë i është vazhduar paraburgimi avokatit Venhar Hana dhe Ditmir Islamit, të dyshuar për legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve.
Të njëjtëve, më 13.06.2025 gjykata ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim pasi Prokuroria e Prishtinës kishte parashtruar kërkesën që dy të dyshuarit të paraburgosen.
Ndërsa vazhdimin e paraburgimit e ka konfirmuar burime të kallxo.com nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Kështu kanë konfirmuar burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Gazeta Insajderi kishte siguruar dosjen hetimore që hedh dritë mbi dyshimet serioze për përfshirjen e tyre në një aferë milionëshe, e cila ka të bëjë me manipulime të mundshme rreth pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës – një rast për të cilin Insajderi raportoi ekskluzivisht.
Slavica Mikiq dhe Venhar Hana, dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për t’i regjistruar një tokë në emër të tyre.
Sipas dosjes me numër 2025-0037488, gjatë vitit 2021 në Prishtinë, të pandehurit kanë përdorur një aktgjykim të falsifikuar të Gjykatës së Prizrenit me datë 28.04.1976, për të pretenduar se Slavica Mikiq kishte fituar të drejtën të bëhej pronare e një toke prej 3.92 hektarësh në Veternik të Prishtinës.
Në dokument thuhet se Venhar Hana ka qenë në dijeni se aktgjykimi ishte i falsifikuar dhe se Slavica Mikiq nuk ishte pronare e ligjshme e asaj prone. Për më tepër, Hana e kishte informuar Mikiqin se toka do të bartet në emrin e saj, duke u shprehur: “ta kemi bartë një tokë në emër tanin”, sipas autorizimit që ia kishte dhënë për paraqitjen e kërkesës në institucionet kadastrale.
Në bazë të këtij dokumenti të dyshuar si të falsifikuar, ishte paraqitur një kërkesë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës në vitin 2022, e cila më pas kishte marrë një vendim për regjistrimin e pronës në emrin e Slavica Mikiqit, me gjithë mungesën e bazës ligjore.
Bazuar në të gjitha këto veprime, Prokuroria dyshon se Venhar Hana, Dritmir Islami dhe Slavica Mikiq, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë kryer disa vepra penale, përfshirë: falsifikimi i dokumentit, legalizimi i përmbajtjes së rreme dhe mashtrimi.